Momente të forta tensioni janë regjistruar përpara selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, gjatë ditës së gjashtë të protestave studentore kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Disa persona me fytyra të mbuluara janë parë duke dalë nga ambientet e selisë së partisë në pushtet, me shkopinj druri në duar. Ata kanë tentuar të godasin protestuesit, duke shkaktuar përplasje dhe tensione të reja.
Por përtej pamjeve, ngrihet një tjetër pyetje: A ishte mes personave të përfshirë në këtë incident edhe drejtori i IKMT-së, Rigers Sheqeri?
Identiteti i personave të maskuar mbetet i paqartë, ndërsa nuk ka ende një konfirmim të pavarur për praninë apo përfshirjen e drejtuesit të IKMT-së.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi praninë e personave të pajisur me shkopinj druri brenda selisë së partisë që qeveris vendin, rolin e tyre dhe reagimin e Policisë së Shtetit.
Kush i lejoi të hynin në seli? Kush i autorizoi të dilnin me hunj në duar dhe përse policia nuk ndërhyri për të parandaluar përplasjen?
Për këto pyetje kërkohet një shpjegim nga Partia Socialiste dhe Policia e Shtetit.






















