Gazetarja dhe prezantuesja e njohur ndërkombëtare, Christiane Amanpour ka njoftuar se do të largohet nga CNN në qershor të vitit 2027, pas 43 vitesh karrierë në rrjetin televiziv amerikan.
“Pas shumë muajsh reflektimi dhe disa netësh pa gjumë, kam vendosur të ndahem nga CNN, partneri im për 43 vite fantastike”, deklaroi Amanpour, duke theksuar se synon t’u përkushtohet projekteve të reja profesionale.
Sipas planit të njoftuar, duke nisur nga janari i vitit 2027, emisioni i saj në CNN International do të transmetohet një herë në javë, ndërsa do të përfundojë në maj. Amanpour do të vazhdojë raportimet për CNN deri në qershor.
Drejtuesi i CNN-it, Mark Thompson, e cilësoi Amanpour si një nga gazetaret më të besuara dhe më të respektuara në botë, duke vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në gazetarinë ndërkombëtare.
Gjatë karrierës, Amanpour ka raportuar nga konfliktet më të rëndësishme botërore, përfshirë luftërat në Bosnjë dhe Kosovë, gjenocidin në Ruandë, si dhe luftërat në Afganistan dhe Ukrainë.
Largimi i saj shënon përfundimin e një epoke të rëndësishme për CNN-in dhe gazetarinë ndërkombëtare.






















