Një avion i kompanisë Austrian Airlines, që po kryente fluturimin nga Tel Avivi drejt Vjenës, është detyruar të bëjë ulje emergjente në aeroportin e Sofjes, në Bullgari, pas një alarmi për bombë në bord.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, 18 tetor, ndërsa avioni Airbus A320, me 51 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, ndodhej në fluturim pranë kufirit me Rumaninë.
Pas marrjes së informacionit për një kërcënim të mundshëm, pilotët shpallën gjendjen e emergjencës dhe devijuan itinerarin drejt kryeqytetit bullgar.
Situata vuri në alarm autoritetet e sigurisë në Bullgari, të cilat ngritën në ajër një avion luftarak MiG-29 për të shoqëruar avionin e pasagjerëve deri në uljen e sigurt në aeroportin e Sofjes.
Menjëherë pas uljes, pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuuan, ndërsa forcat e sigurisë nisën kontrollet e hollësishme për praninë e mundshme të lëndëve shpërthyese.
Sipas raportimeve të medias izraelite Ynet, kërcënimi dyshohet se ishte bërë nga një shtetas austriak, i cili nuk ndodhej në avion. Mes pasagjerëve ishte edhe një delegacion të rinjsh që pritej të merrte pjesë në aktivitete në Kombet e Bashkuara.
Pas përfundimit të kontrolleve, Austrian Airlines konfirmoi se në avion nuk ishte konstatuar asnjë rrezik dhe se alarmi për bombë kishte rezultuar i pabazuar.
Kompania njoftoi se avioni kishte vijuar udhëtimin nga Sofja drejt Vjenës gjatë natës, me të gjithë pasagjerët në bord.
Nga incidenti nuk pati persona të lënduar, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar origjinën e kërcënimit që shkaktoi ndërhyrjen e forcave të sigurisë dhe devijimin e fluturimit.






















