Financial Times- Bordi Editorial
Dhuna tronditëse nxjerr në pah thellimin e ndarjeve shoqërore, kufizimet financiare dhe krizën e lidershipit.
Edhe për një vend të mësuar me protesta masive, trazirat e dhunshme dhe plaçkitjet që shpërthyen në të gjithë Francën gjatë fundjavës ishin tronditëse. Rreth 2,400 persona u arrestuan dhe të paktën 3,000 dyqane e biznese u plaçkitën ose u dëmtuan.
Turmat hynë me forcë në ndërtesa bashkiake ose u vunë atyre zjarrin, duke u dhënë akteve të dhunës karakterin e një kryengritjeje. Autoriteti tashmë i dobësuar rëndë i presidentit Emmanuel Macron gjendet tani mes rrënojave ende të nxira nga zjarri të bashkisë së Limoges, një ndërtesë e shekullit XIX, së cilës turma i vuri flakën.
Qeveria ka fajësuar ekstremistët e së majtës radikale dhe elementët kriminalë për nxitjen e trazirave që pasuan një ditë protestash kryesisht paqësore kundër rënies së standardit të jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe një sërë pakënaqësish të tjera. Anarkistët antikapitalistë të të ashtuquajturit black bloc mund të kenë pasur vërtet rol në dhunë.
Padyshim, pjesë e saj kanë qenë edhe casseurs, siç quhen në Francë personat që shkaktojnë shkatërrime, si dhe plaçkitësit e rastit që kërkonin përfitime materiale apo thjesht emocione të forta. Secili prej tyre mban përgjegjësi për kaosin dhe shkatërrimin e pakuptimtë. Por edhe qeveria duhet të mbajë një pjesë të konsiderueshme të fajit për një dështim kolosal të policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
Autoritetet e nënvlerësuan rëndë përmasën e protestave të së shtunës dhe praninë e personave që nxisnin trazira.
Forcat policore të dislokuara ishin të pamjaftueshme dhe, në disa raste, të pajisura në mënyrë të papërshtatshme. Po ashtu, vihet në pikëpyetje mënyra e tyre e çorganizuar e reagimit ndaj trazirave publike. Gjatë javëve të protestave të nxënësve të shkollave të mesme, policia përdori herë pas here metoda të ashpra dhe joproporcionale. Këtë herë, forcat e saj rezultuan të pamjaftueshme për të përballuar situatën. Të hënën, Macron refuzoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez, i cili më parë kishte mbajtur një post të lartë drejtues në Policinë e Parisit. Ministra të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shumë më pak.
Kjo valë e shfrenuar dhune në rrugë krijon imazhin e një qeverie që ka humbur kontrollin. Ajo gërryen besimin e publikut tek autoritetet shtetërore, minon besimin e bizneseve dhe dëmton reputacionin ndërkombëtar të Francës, me pasoja potencialisht të rënda për industrinë e saj të rëndësishme turistike.
Kryeministri Sébastien Lecornu, i cili nuk ka shumicë parlamentare, dhe presidenti, të cilit i mungon mbështetja popullore, realisht nuk mund të bëjnë shumë gjatë muajve të fundit të mandatit të tyre, përpara zgjedhjeve të pranverës së ardhshme. Por, të paktën, ata duhet të garantojnë sigurinë e vendit. Të hënën, Lecornu bëri thirrje për vendosjen e kufizimeve lokale të qarkullimit gjatë orëve të caktuara, me qëllim parandalimin e trazirave të mëtejshme, dhe nuk e përjashtoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Një nga arsyet pse qeveria ka hasur vështirësi në qetësimin e protestave të nxënësve të shkollave të mesme, të cilat tani rrezikojnë të shndërrohen në një lëvizje shumë më të gjerë, është mungesa e parave për të trajtuar problemin. Tradicionalisht, qeveritë franceze u janë përgjigjur pakënaqësive shoqërore me masa financiare.
Macron arriti të siguronte rreth 11 miliardë euro në koncesione dhe mbështetje financiare për të zbutur protestat e Jelekëve të Verdhë në vitet 2018–2019. Këtë herë, arka e shtetit është vërtet bosh.
Tregjet e obligacioneve po ushtrojnë presion në rritje mbi Parisin, ndërsa investitorët shqetësohen për mungesën e një plani të dakordësuar për stabilizimin e borxhit.
Qeveria synon të realizojë një kombinim shkurtimesh të shpenzimeve dhe rritjesh taksash në vlerën 43 miliardë euro në buxhetin e vitit të ardhshëm. Çdo përpjekje për të dalë nga kriza përmes shpenzimeve të reja publike mund të kthehet kundër saj, duke shkaktuar një valë tjetër shitjesh të obligacioneve shtetërore dhe rritje të kostove të huamarrjes.
Me vetëm gjashtë muaj të mbetur deri në zgjedhjet presidenciale, protestat dhe përplasjet e dhunshme të javëve të fundit kanë forcuar ekstremet politike në Francë, ndërsa kanë dobësuar qendrën.
Për udhëheqësen e së djathtës radikale, Marine Le Pen, perceptimi i një qeverie që po humbet kontrollin është një dhuratë politike.
Partia e saj ka fajësuar emigracionin për dhunën, duke nxjerrë në pah prirjet e saj më të këqija. Megjithatë, është e vështirë të kundërshtosh përshkrimin që Le Pen i bën një presidence që është “pa energji, e rraskapitur dhe e çorientuar”.
Ndërkohë, udhëheqësi i së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, ka inkurajuar protestat dhe i ka shfrytëzuar ato për të rritur tërheqjen e tij si kandidat kundër sistemit, megjithëse trazirat e fundjavës mund ta frenojnë rritjen e tij të fundit në sondazhe.
Édouard Philippe, figura kryesore e qendrës politike, është dëmtuar nga lidhja e tij me një qeveri të dobët dhe po has vështirësi për të përcaktuar një drejtim të ri politik që të jetë bindës për votuesit.
Në të vërtetë, pakënaqësitë e përhapura dhe atmosfera shpërthyese kanë nxjerrë zbuluar thellësinë e problemeve shoqërore të Francës.
Për fat të keq, asnjëri prej kandidatëve nuk duket se e di se çfarë duhet bërë për t'i zgjidhur realisht ato.
Burimi: Financial Times, editorial i bordit redaktues.






















