Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani është i gatshëm të vijojë negociatat diplomatike me Shtetet e Bashkuara, por nuk përjashton mundësinë e një konflikti të ri ushtarak. Në një intervistë për televizionin irakian Al-Ekhbariya, ai tha se kontaktet mes dy vendeve po vijojnë përmes ndërmjetësuesve, përfshirë Pakistanin dhe Katarin.
Sipas Araghchit, Irani i ka paraqitur Uashingtonit një nismë shtatëditore, e cila parashikon rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit në ditën e gjashtë, nëse pala amerikane pranon kushtet e Teheranit. Ai pretendoi se SHBA-ja ka pranuar kushtet iraniane, por ka kërkuar përfshirjen e disa pikave shtesë në marrëveshje, pa bërë të ditura detajet e tyre.
Kryediplomati iranian theksoi se Uashingtoni duhet të përmbushë të gjitha zotimet e përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit të arritur në Islamabad. Sipas tij, vetëm pas përmbushjes së këtyre angazhimeve mund të zhvillohen negociata për çështje të tjera.
Araghchi shprehu gjithashtu mosbesim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke pretenduar se raundet e mëparshme të bisedimeve kanë përfunduar me sulme kundër Iranit. “Bota duhet ta dijë se është pala amerikane, dhe jo Irani, ajo që po e bllokon rrugën drejt diplomacisë”, deklaroi ai.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, ministri iranian paralajmëroi se ajo nuk do të hapet plotësisht për trafikun detar pa një marrëveshje me Uashingtonin. Ai bëri të ditur se Irani dhe Omani kanë rënë dakord për rrugët e hyrjes dhe daljes së anijeve, ndërsa hartat dhe koordinatat përkatëse duhet të regjistrohen pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare.
Duke iu referuar mundësisë së një përshkallëzimi të ri, Araghchi tha se nuk mund të përjashtohet një sulm tjetër nga SHBA-ja dhe Izraeli. Ai nënvizoi se gatishmëria e Iranit për luftë nuk nënkupton se Teherani e dëshiron konfliktin, por synon të paralajmërojë palën tjetër që të rishikojë llogaritjet e saj.
“Kur themi se jemi të gatshëm për luftë, kjo nuk do të thotë se e dëshirojmë atë”, theksoi Araghchi, duke shtuar se Irani është po aq i gatshëm për diplomaci sa edhe për luftë.






















