
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka përcjellë një mesazh të fortë për mënyrën se si institucionet dhe shoqëria duhet t'u përgjigjen shqetësimeve të të rinjve, pas protestave dhe përplasjeve të dhunshme në Milano dhe Torino.
Deklaratat e kreut të shtetit vijnë një ditë pas miratimit nga qeveria e Giorgia Melonit të një dekreti të ri sigurie, që ashpërson masat ligjore dhe zgjeron përgjegjësinë penale për të miturit.
“Shoqëria nuk mund t'u drejtohet të rinjve me një qëndrim indiference apo, edhe më keq, me një nënvlerësim meskin. Kjo është një çështje e madhe sociale, një përparësi ndaj së cilës duhet të tregohen të ndjeshme institucionet dhe të gjitha forcat e shoqërisë”, deklaroi Mattarella.
Gjatë një ceremonie në Pallatin Quirinale, ku priti personalitete të vlerësuara për kontributin në ekonomi dhe nxënës të dalluar për rezultatet e tyre, presidenti italian kërkoi që politika të mos kufizohet vetëm te masat e menjëhershme, por të trajtojë shkaqet e pakënaqësisë së brezit të ri.
“Nevojitet një vizion i gjerë që, krahas vendimeve të domosdoshme të momentit, të ndërtojë strategji të përshtatshme për të përballuar shqetësimin, ndjenjën e pasigurisë për të ardhmen që të rinjtë përjetojnë shpesh, si dhe frikën nga nënshtrimi apo përjashtimi shoqëror. Aq më tepër në këto kohë kaq të trazuara dhe të pasigurta”, theksoi ai.
Mesazhi i Mattarellës vjen në një moment kur qeveria italiane ka zgjedhur ashpërsimin e legjislacionit pas trazirave. Presidenti kishte kërkuar që politika të reflektonte mbi rrënjët e dhunës dhe plaçkitjeve ku janë përfshirë të mitur, si dhe mbi faktorët që mund të qëndrojnë pas këtyre ngjarjeve. Megjithatë, qeveria miratoi dekretin brenda 24 orëve.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga presidenti ishte largimi i të rinjve të talentuar nga Italia.
“Bilanci negativ i emigrimit të të rinjve përbën një barrë të rëndë. Duhet të krijojmë kushtet që kthimi të bëhet tërheqës për ta. Shumë prej tyre do të riktheheshin me dëshirë, nëse do t'u ofrohej një rrugë profesionale dhe jetësore që t'u mundësonte të realizonin veten”, u shpreh Mattarella.
Presidenti italian foli gjithashtu për rrezikun e përqendrimit të pushtetit ekonomik dhe teknologjik në duart e monopoleve, duke kritikuar veçanërisht magnatët e teknologjisë që nuk pranojnë t'u nënshtrohen rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duke iu referuar ish-presidentit Luigi Einaudi, ai kërkoi kontroll publik mbi monopolet, të cilat i cilësoi si burim të papunësisë dhe pabarazive shoqërore.
Mattarella paralajmëroi edhe për pasojat e luftërave, politikave neoimperialiste, pasigurisë në transportin detar dhe rritjes së çmimeve, ndërsa kujtoi problemin e pagave të ulëta dhe kërcënimet ndaj vlerave të Bashkimit Europian.
“Perspektivat e të rinjve janë vendimtare për të përcaktuar zhvillimin e shoqërisë sonë, ekonomisë sonë dhe modeleve tona të jetesës”, përfundoi presidenti italian.






















