Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar ndalimin e një pjese të madhe të protestave gjatë ditëve në vijim, pas përleshjeve dhe plaçkitjeve që përfshinë Francën më 17 tetor.
Duke folur pas një mbledhjeje me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe ministrat e qeverisë, Macron deklaroi se rekomandimi i përgjithshëm është të mos zhvillohen demonstrata gjatë ditëve të ardhshme, me qëllim rikthimin e qetësisë.
Presidenti francez sqaroi se protestat e organizuara nga sindikatat mund të lejohen, por prefektët do të propozojnë itinerare alternative për të mbrojtur qendrat e qyteteve, bizneset dhe ndërtesat publike. Për demonstratat e tjera, autoritetet do të vendosin ndalime kudo ku ligji ua mundëson.
Macron akuzoi grupet e organizuara të së majtës radikale se qëndrojnë pas një pjese të dhunës së fundjavës.
“Të shtunën patëm akte politike, madje edhe kryengritëse, të kryera nga grupe të organizuara të së majtës ekstreme, që synojnë të rrëzojnë Republikën”, deklaroi ai.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë ndaluar të gjitha protestat e planifikuara për të shtunën në Lion, ndërsa kufizime janë vendosur edhe në disa qytete të tjera.
Pavarësisht masave, sindikata studentore UNEF dhe lëvizja e Jelekëve të Verdhë kanë paralajmëruar mobilizime të reja.
Sipas raportimeve të Reuters dhe AFP, qeveria franceze po përgatit masa të shtuara sigurie për fundjavën, me synimin për të shmangur përsëritjen e dhunës së 17 tetorit.






















