Bota 22 October 2026, 07:51 Nga VNA

Trump fajësoi emigrantët për trazirat në Francë, Macron kritikon liderët botërorë: Deklarata të papranueshme dhe të pamenduara

Ndaje në Whatsapp
Trump fajësoi emigrantët për trazirat në Francë, Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar ashpër liderët botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, të cilët kanë lidhur trazirat e fundit në Francë me emigracionin dhe islamin radikal.

Gjatë një deklarate për mediat nga Doha e Katarit, më 21 tetor, Macron akuzoi disa udhëheqës të huaj se po shfrytëzojnë situatën e tensionuar në Francë për përfitime politike, duke përhapur informacione të pavërteta për protestat dhe përplasjet e dhunshme.

Presidenti francez i cilësoi komentet e tyre si të papranueshme dhe madje budallaqe, duke paralajmëruar se dezinformimi është përhapur edhe përmes videove dhe imazheve të krijuara me inteligjencë artificiale.

I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët nëse kritikat e tij i drejtoheshin Donald Trumpit, Macron u përgjigj shkurt: “Ndër të tjerë”.

Reagimi vjen pasi presidenti amerikan fajësoi emigracionin dhe islamin radikal për trazirat në Francë, duke i bërë thirrje Macronit të mbyllë kufijtë dhe të marrë kontrollin e situatës përpara se të jetë tepër vonë.

Trump ka pretenduar se protestat nuk lidhen me problemet e arsimit, por me emigracionin dhe praninë e islamistëve në vend. Megjithatë, sipas Associated Press, autoritetet franceze nuk kanë paraqitur prova që lidhin emigrantët me organizimin apo përgjegjësinë kryesore për trazirat.

Macron i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje të manipuluara që paraqesin ngjarje të cilat nuk kanë ndodhur në Francë.

Presidenti francez kritikoi gjithashtu politikanët që, sipas tij, po përdorin krizën franceze për fushatat e tyre zgjedhore, duke iu referuar udhëheqësve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe përtej Atlantikut.

Kritikat e Macronit duket se përfshijnë edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili më herët deklaroi se Franca po përballet me një pushtim të islamit ekstremist.

Trazirat në Francë u përshkallëzuan gjatë fundjavës së 17 tetorit, kur protestat e studentëve dhe qytetarëve kundër kostos së lartë të jetesës u shoqëruan në disa qytete me përplasje të dhunshme me policinë, plaçkitje dhe dëmtime të pronës.

Ndërkohë, Macron ka paralajmëruar se autoritetet do të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e dhunës gjatë protestave të reja të planifikuara për fundjavën e ardhshme.

Burimi: Reuters, Associated Press (AP)

Lexo gjithashtu

Video

Pasi protestuesit thyen karriget e dialogut, Rama vendos gurë përpara Kryeministrisë. Këtë herë ka zgjedhur një ftesë më rezistente. Karriget u thyen dje dhe u hodhën drejt hyrjes së godinës nga të rinjtë që refuzojnë dialogun me të. Studentët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Një 37-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi automjeti që drejtonte është përfshirë nga flakët gjatë natës së kaluar, në vendin e quajtur “Skërficë”, në aksin Kardhiq–Delvinë. Maridon Dhuli, banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë, udhëtonte me një automjet tip “Volkswagen Touran” kur ka shpërthyer zjarri. Si pasojë, ai ka pësuar djegie të shkallës së tretë.

Pamjet e auditorit plot, ama, na i kurseu

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme