
Rreth 150 mijë qytetarë janë mbledhur në Beograd në mbështetje të Listës së Studentëve, në tubimin e fundit elektoral përpara zgjedhjeve parlamentare të së dielës, të cilat pritet të jenë një sfidë e fortë për pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.
Sheshi “Slavija” u mbush me mijëra mbështetës që brohorisnin dhe valëvitnin flamujt serbë, duke shprehur mbështetjen për listën zgjedhore “Studentët fitojnë”.
Lëvizja studentore mori hov pas tragjedisë së vitit 2024 në Novi Sad, ku shembja e një strehe në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti protesta të gjata kundër qeverisë, të cilat më pas u shndërruan në një lëvizje politike.
Tashmë studentët garojnë në zgjedhje me një listë prej 250 kandidatësh, ku përfshihen pedagogë, aktorë, fermerë dhe përfaqësues të fushave të ndryshme.
Sipas një sondazhi të publikuar më 20 tetor, Lista e Studentëve kryeson me 44.5% të mbështetjes, përballë 42.7% të Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit.
Megjithatë, gara mbetet e hapur, pasi parashikimet politike vazhdojnë të favorizojnë strukturën qeverisëse. Zgjedhjet e 25 tetorit do të përcaktojnë nëse lëvizja studentore do të arrijë t'i japë fund dominimit politik shumëvjeçar të Vuçiçit në Serbi.






















