Borussia Dortmund po sjell një risi për tifozët e saj, duke synuar t’i largojë ata nga telefonat celularë dhe t’i përqendrojë më shumë te ajo që ndodh në fushë. Klubi gjerman ka prezantuar funksionin “Fan Mode” në aplikacionin e tij zyrtar, një sistem që shpërblen tifozët që i mbajnë telefonat të bllokuar gjatë ndeshjeve në stadium.
Veçoria do të aktivizohet për herë të parë në përballjen me Eintracht Frankfurt, të shtunën, më 24 tetor, në stadiumin “Signal Iduna Park”, dhe do të jetë e disponueshme edhe për ndeshjet e tjera që Dortmundi luan në shtëpi. Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me Vodafone, sponsorin kryesor të klubit. Tifozët duhet të aktivizojnë “Fan Mode” në aplikacion dhe të bllokojnë ekranin e telefonit. Për çdo minutë që pajisja qëndron e bllokuar gjatë ndeshjes, ata fitojnë pikë. Gjatë pushimit mes dy pjesëve mund ta përdorin telefonin, por duhet ta riaktivizojnë funksionin për pjesën e dytë. Grumbullimi i pikëve përfundon me vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Tifozët që mbledhin më shumë pikë do të kenë mundësi të fitojnë fanella të firmosura nga lojtarët e Dortmundit dhe karta dhuratash për dyqanin zyrtar të klubit. Pjesëmarrja është vullnetare dhe funksioni mbështetet si në pajisjet me sistemin iOS, ashtu edhe në ato me Android. Për të vërtetuar se ndodhen në stadium, përdoruesit duhet t’i japin aplikacionit leje për të përdorur vendndodhjen e tyre.
Nisma vjen në një kohë kur përdorimi i telefonave në tribuna është kthyer në një shqetësim për klubet dhe organizatorët e ndeshjeve. Sipas një ankete të Vodafone të vitit 2023, ku morën pjesë 1.000 vizitorë të rregullt të stadiumeve, 63 për qind e të anketuarve deklaruan se i përdorin telefonat gjatë ndeshjeve. Dortmundi vëren se fotografitë, transmetimet e drejtpërdrejta dhe aktiviteti në rrjetet sociale po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e tifozëve.
Drejtori ekzekutiv i klubit, Carsten Cramer, theksoi se atmosfera e krijuar nga më shumë se 81.000 tifozë që këndojnë, brohorasin dhe përjetojnë së bashku çdo moment të ndeshjes nuk mund të zëvendësohet nga asnjë teknologji. Edhe drejtuesi i Vodafone Germany, Marcel de Groot, u bëri thirrje tifozëve që t’i mbajnë telefonat më shpesh në xhep dhe të përqendrohen te loja dhe atmosfera në stadium. Me “Fan Mode”, Borussia Dortmund synon të rikthejë vëmendjen te përjetimi i drejtpërdrejtë i futbollit, duke e kthyer qëndrimin larg telefonit në një mundësi për të fituar shpërblime.






















