Gazeta e njohur italiane “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull të veçantë Edon Zhegrovës, duke vlerësuar paraqitjen e futbollistit kosovar në ndeshjen ndaj Cagliarit dhe duke kritikuar vendimin e trajnerit Luciano Spalletti për ta lënë jashtë listës së Juventusit për Ligën e Evropës.
Sipas gazetës italiane, Zhegrova ishte një nga lojtarët që ndryshoi ritmin e skuadrës bardhezi, pasi u aktivizua nga Spalletti në një moment kur Juventusi kishte nevojë për më shumë rrezik në sulm. “Drita e vetme e Juventusit në errësirën e Cagliarit ka vetëm një emër, Zhegrova”, shkruan “Gazzetta dello Sport”, duke theksuar se me hyrjen e tij në fushë, skuadra u rikthye në lojë dhe u bë më kërcënuese pranë portës kundërshtare.
Media italiane e cilëson si “turp” vendimin për ta lënë kosovarin jashtë listës së UEFA-s, veçanërisht pas përpjekjeve të klubit për ta larguar gjatë merkatos së verës. Sipas saj, zgjedhja e Spallettit tashmë duket si një gabim, ndërsa argumentet për ta justifikuar janë të pakta.
Megjithatë, pavarësisht mungesës në listën e UEFA-s, Zhegrova do të jetë një alternativë për Juventusin në ndeshjet e kampionatit italian. “Edhe nëse nuk është në listën e UEFA-s, ai është gati të japë kontributin e tij në Serie A sa herë që skuadra të ketë nevojë”, thekson gazeta.
Juventusi do të përballet me Celta Vigon në Ligën e Evropës, sfidë për të cilën Spalletti nuk do të ketë në dispozicion futbollistin kosovar.






















