Netflix ka siguruar të drejtat ekskluzive televizive për transmetimin e Kupës së Botës 2030 në Spanjë dhe Andorrë, duke hyrë për herë të parë në garën për transmetimin e Botërorit për meshkuj, sipas raportimeve të mediave spanjolle.
Agjencia spanjolle EFE raportoi të martën se platforma do të transmetojë drejtpërdrejt të 104 ndeshjet e turneut, i cili do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku. Marrëveshja parashikon gjithashtu mundësi për të ndjekur një pjesë të ndeshjeve pa pagesë shtesë.
Sipas raportimit, një ndeshje për çdo ditë të turneut do të jetë e disponueshme falas për shikuesit në Spanjë. Ndërkohë, Netflix do t'i ofrojë një transmetuesi kombëtar spanjoll me sinjal të hapur një paketë që përfshin të gjitha ndeshjet e kombëtares spanjolle, gjysmëfinalet dhe finalen. Emri i televizionit që do të transmetojë këto ndeshje nuk është bërë ende i ditur.
Vlera financiare e marrëveshjes nuk është publikuar.
“Pak ngjarje i bashkojnë njerëzit si Kupa e Botës”, deklaroi Bela Bajaria, drejtoresha e përmbajtjes në Netflix. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, e cilësoi Botërorin e vitit 2030 si një edicion shumë të veçantë të turneut.
Netflix ka siguruar më herët të drejtat për transmetimin e Kupës së Botës për femra në vitet 2027 dhe 2031 në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Sipas medias sportive “The Athletic”, marrëveshja për Botërorin 2030 shënon hyrjen e platformës në transmetimin e Kupës së Botës për meshkuj, duke sinjalizuar një tjetër ndryshim në mënyrën se si publiku mund të ndjekë ngjarjet më të mëdha sportive.






















