Sulmuesi maroken Yassir Zabiri po tërheq vëmendjen në futbollin spanjoll falë formës së shkëlqyer me Racing Santander. 21-vjeçari ka realizuar shtatë gola në tetë ndeshjet e para të kampionatit, duke u renditur mes emrave më të spikatur të listës së golashënuesve.
Sipas medias spanjolle “Marca”, Zabiri ka arritur të njëjtin numër golash me Kylian Mbappen, Lamine Yamalin dhe Camellon. Krahasimi lidhet vetëm me statistikat e realizimit në kampionat dhe jo me nivelin e përgjithshëm të lojtarëve, por shifrat e sulmuesit maroken kanë bërë që ai të jetë në qendër të vëmendjes në Spanjë.
I lindur më 23 shkurt 2005 në Marrakesh, Mohamed Yassir Zabiri u formua në Akademinë e Futbollit Mohammed VI, një prej qendrave të rëndësishme të zhvillimit të talenteve në Marok. Ai e nisi karrierën profesioniste me Union Touarga, përpara se të transferohej në Portugali, ku u aktivizua me Famalicaon.
Në shkurt të vitit 2026, sulmuesi iu bashkua klubit francez Rennes, me të cilin nënshkroi kontratë deri në vitin 2029. Për sezonin 2026-2027, ai është huazuar te Racing Santander, ku po shfrytëzon mundësinë për të treguar aftësitë e tij dhe për të fituar më shumë hapësira në futbollin profesionist.
Zabiri fitoi famë ndërkombëtare gjatë Kupës së Botës U-20 në vitin 2025, ku Maroku u shpall kampion në turneun e zhvilluar në Kili. Sulmuesi realizoi pesë gola gjatë kompeticionit, ndërsa në finalen kundër Argjentinës shënoi dy herë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në triumfin e ekipit të tij. Për paraqitjet e zhvilluara, ai u vlerësua edhe me Topin e Argjendtë, si lojtari i dytë më i mirë i turneut.
Suksesi me përfaqësuesen e moshave i hapi rrugën drejt ekipit kombëtar A të Marokut, ndërsa tashmë Zabiri synon të konfirmojë potencialin edhe në futbollin e klubeve. Forma e treguar me Racing Santander ka shtuar interesin për të ardhmen e tij, ndërsa sipas “Marca”-s, klubi spanjoll po shqyrton mundësinë e transferimit të përhershëm nga Rennes.






















