Editorial 19 June 2026, 09:48 Nga VNA

Nuk është 1997: ekonomia shqiptare nuk rrezikohet nga sekuestrimet, por nga varësia ndaj parasë së pistë

Ndaje në Whatsapp
Nuk është 1997: ekonomia shqiptare nuk rrezikohet nga sekuestrimet,

Seriali i famshëm italian “Oktapodi” me temë betejën e drejtësisë italiane, posaçërisht të një komisari të vetëm, kundër mafias, i transmetuar në televizionin e vetëm të kohës (mesi i viteve ´80 deri në fillim të viteve ´90), pati mbërthyer shqiptarët. Në njërën nga skenat filmike, komisar Katanit i refuzohet shërbimi i një kafeje ekspres në barin pranë bregdetit, teksa po kalonte çaste pushimi me të bijën. Arsyeja: goditjet që i kishte dhënë mafies së Palermos dhe arrestimet e mafiozëve kishin çuar edhe në probleme të jetës së qytetarëve të pafajshëm që kishin mbetur pa punë apo atyre më pak të fajshëm, pasi ishin detyruar të kryenin punë për bosët e tyre. Skena filmike të cilat nuk janë pa bazë reale. Është e mirëjohur parehatia që ndjenin siçilianët në prani fizike të atyre magjistratëve dhe komisarëve të policisë në Siçilinë e viteve ´75-´90, të cilët vendosën t´i kundërvihen mafias.

Lëvizje të ngjashme, ende nga shumë larg, kanë filluar në territorin shqiptar me hetimet dhe goditjet ndaj individëve të përfshirë në trafiqet e lëndëve narkotike, me pasoja sekuestrim të pasurive që përllogaritet në qindra milionë euro. Për një krahasim të shpejtë, pasuritë e sekuestruara (700 milionë euro) janë sa 43% e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vitin 2025 ose 88% e investimeve të reja të huaja të kryera në vitin 2025. Ky krahasim tregon masën e konsiderueshme të parasë të qarkulluar në ekonominë shqiptare që ka burim të pistë. Ky krahasim i shpejtë tregon se me sa lehtësi mekanizmat shtetërorë kanë lejuar dhe favorizuar pastrimin e kësaj paraje, përmes lejimit të qarkullimit të saj në sektorët e ekonomisë, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe atij të turizimit, dy sektorët që janë sot “krenaria” e qeverisë shqiptare.

Që në krye të herës duhet theksuar dhe është mëse e dukshme që ekonomia shqiptare, kryesisht në 10 vitet e fundit, që kur zbuluam dashurinë për mbjelljen e kulturës së kanabisit, e në vijim të qarkullimit të lëndëve narkotike, ka marrë tiparet e një ekonomie spekulative shfrytëzuese të ngritur mbi themele rëre.

Shfrytëzuese sepse është bazuar me tepri në sektorin e ndërtimit, duke shrytëzuar pa kriter territorin e vendit dhe pa respektuar kritere të ndërtimit urbanistik, turistik apo në zona të mbrojtura dhe pa mbështetjen infrastrukturore (më vulgarja, furnizimi me ujë ende sigurohet me depozita), pa përmendur cilësinë dhe sigurinë e investimeve (rastet e zjarreve nëpër pallate që marrin vrull prej materialeve ndërtimore dhe nuk shuhen lehtë për shkak të vështirësive në rrugët e kalimit për zjarrfikëset). Pra, qeveria ka keqpërdorur territorin e vendit përmes betonizimit, duke krijuar një numër problemesh të tjera. Qeveria shqiptare ka demonstruar sjelljen tipike të kolonizatorëve në Afrikë: përdor forcën për të grabitur apo keqpërdorur pasurinë e vendit dhe largohu me fitimet, duke lënë pas pasoja të mëdha.

Spekulative sepse qindramilionët e eurove që sekuestrohen, çmimet e shitjes së apartamenteve dhe vlerësimet e kolateraleve për qëllime të marrjes së kredive, kanë hyrë për fat të keq në një spirale inflative e nxitur përsëri nga interesi i qeverisë shqiptare dhe mekanizmat shtetërore dhe private për të mbajtur në treg çmime të larta. Paradoksi është i dukshëm: çmimet janë lart, ka stok njësish të pashitur dhe çmimet krahasohen edhe me qytete të shtrenjta të BE-së. I gjithë ky mekanizëm ka sjellë vështirësi në blerje banese për qytetarin normal, rritje të peshës së të ardhurave që shkon për blerjen e banesës apo pagesën e qirasë, mbushje në mënyrë të lehtë e buxhetit të bashkive me të ardhura nga detyrimet fiskale në sektorin e ndërtimeve, të cilat më tej po aq lehtë e kemi parë se shpërdorohen. Ndërkohë mekanizmi fiskal ka induktuar edhe rritje apo mbajtje lart të çmimit (ngjashëm si me rastin e çmimeve të karburanteve). E gjitha kjo për të krijuar imazhin e një ekonomie që krijon vlerë dhe kanalizuar qarkullimin e parasë “së madhe” në ndërtuesit pranë qeverisë, që si Erjon Veliaj dhe Rama tani së fundmi na e shesin për rritje vlere të pasurisë së qytetarit.

Spekulative sepse qarkullimi i parasë së pistë në ekonomi ka kontributin e vet në zhvlerësimin e fortë të euros, sidomos pas periudhës së pandemisë, duke induktuar më tej rritje çmimi në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në zhvlerësim të pasurive dhe të të ardhurave të qytetarëve (një pjesë i marrin pagat në euro, një pjesë kanë kursime në euro, një pjesë kanë të ardhura nga fëmijët në euro).

Por njësoj si baristi i zemëruar me Komisar Katanin në film, edhe në median shqiptare kanë filluar të qarkullojnë zëra me këshilla për kujdes me sekuestrimet, sepse mund të rrezikojmë dhe një “1997” të dytë. Ky është një pretendim i pabazë, për të mos thënë shantazhues.

E vetmja ngjashmëri me 1997 është veprimi i papërgjegjshëm i qeverive të asaj dhe kësaj kohe që lejuan zhvillimin e aktiviteteve ekonomike spekulative dhe të paligjshme.

Në 1997 popullata humbi masivisht kursimet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nëse tkurret fluksi i parave të drogës, kjo nuk prek kursimet e popullatës, vetëm nëse për një trik të fatit e gjithë popullsia 2 milionë e ca e Shqipërisë është e përfshirë në këtë trafik.

Duke lënë mënjanë paligjshmërinë e bazimit të ekonomisë në themele parash të pista, është e qartë që frenimi i prurjes së parave të drogës ka efektin e vet negativ në ekonomi, sepse do të jetë një sasi parash të munguara. Nga ana tjetër, tkurrja e qarkullimit të parasë së drogës kthen ekonominë në binarë normalë. Financimet për aktivitetet ndërtimore dhe të shitje-blerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhen nga sistemi formal financiar, jo nga transaksionet cash.

Pasuritë e sekuestruara nuk zhbëhen. Ato fare mirë mund t´i rikthehen ekonomisë qoftë me sistem privatizimi, qoftë përmes menaxhimit si njësi ekonomike.

Stoku i njësive të pashitura mund t´i rikthehet ofertës së tregut përmes një procesi uljesh të çmimeve, duke çliruar likuiditet që bllokohej në tregun e ndërtimit për sektorë të tjerë të ekonomisë dhe gradualisht duke ulur varësinë e ekonomisë nga sektori i ndërtimit.

Më tej nxitet dhe një valë e reduktimit të qirave afatgjata dhe atyre ditore, që përsëri lehtëson jetesën dhe pse jo mbështet edhe më tej turizmin.

Euro vetvetiu do të korrektohet, duke mbështetur sektorët e eksportit (të mos harrojmë që zhvlerësimi i euros ka goditur fort të ardhurat në sektorët e eksportit që janë ata sektorë që më së shumti i duhen ekonomisë shqiptare).

Luftimi i parasë së pistë në ndërtim do të krijojë hapësirë për ndërtuesit profesionistë që kanë kujdes për standardet, cilësinë dhe arkitekturën, dhe pse jo që punojnë edhe me reduktim të normës së fitimit. Nuk është standard ekonomik të punuarit me norma shumëfishe fitimi. Kjo u nxit pikërisht nga modeli spekulativ që i dha mekanizmi i zbatuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me ndërtuesit oligarkë.

Shqipëria ka nevojë të krijojë tregun e njësive të ndërtimit, jo si sot që kemi tregun e blerjes që në gropë të ndërtimeve që janë ende ajër. Përsëri lufta ndaj parasë së pistë mund të diktojë që të vendoset ky treg.

Qeveria shqiptare ka në dorë të rishikojë mekanizmin fiskal dhe barrën fiskale në këtë treg e paralelisht me të të bëhet më e përgjegjshme për menaxhimin e punëve në qytete, të parasë publike dhe të administratës publike.

Bankat, nëse mund të përballen me rrezikun e uljes së vlerës së kolateraleve apo të financimeve, frenimit në sektorin e ndërtimeve, ose dhe përjetimit të një norme më të lartë të kredive të këqija, përsëri e kanë të mundur ta menaxhojnë përmes bashkëpunimit që duhet të kenë me Bankën e Shqipërisë në lidhje me adoptimin e standardeve rregulluese të veçanta të përkohshme sa të kalohet vështirësia që mund të krijohet nga tkurrja e parasë së pistë në ekonomi.

Sigurisht nuk do të jetë e lehtë dhe do të ndihet vështirësia, por në periudhë afatmesme kjo do të çojë në korrektimin e duhur të ekonomisë.

Që ky korrektim të jetë sa më i shpejtë dhe me pak pasoja, nevojitet që tani të ketë menaxhim aktiv nga mekanizmat qeveritarë dhe rregullatorë në treg në funksion të ekonomisë. Për fat të keq, kjo është pika ku ngecin gjithmonë teoritë dhe mekanizmat ekonomikë në Shqipëri, te papërgjegjshmëria dhe largpamësia e qeverive dhe institucioneve shqiptare. Pra, nëse rrezikojmë një 1997 të dytë, faji do të jetë jo i goditjes së parasë së pistë, por pikërisht i qeverisë shqiptare, që ashtu si qeveria Meksi në 1997, dhe kjo Rama e 2026, përparësi i japin interesit pushtetor dhe korruptiv dhe jo interesit shtetëror dhe të së ardhmes së vendit. Nuk rrezikohet ekonomia nga shpërthimi i flluskës së pasurive të paluajtshme. Tashmë ajo duhet të pastrohet pasi gjirizi i korrupsionit plasi.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme