
Nga Desada Metaj
Ndërsa prej 17 ditësh protestat e qytetarëve shqiptarë në Tiranë përbëjnë jo vetëm lajmin kryesor, por edhe zhvillimin më domethënës politik e shoqëror të kohëve të fundit në Shqipëri, paralelisht me to është zhvilluar edhe një proces tjetër, ndoshta po aq i rëndësishëm për pasojat që mund të prodhojë.
Një proces pa ikona flamingosh, pa flamuj, pa simbole turbo-folku kombëtar dhe pa podiume protestash. Por një proces që mbart një nga të vërtetat më të mëdha që u janë thënë shqiptarëve në 35 vitet e fundit.
Altin Dumani, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Elida Karçini kanë nisur të zbërthejnë disa nga skemat më flagrante të pastrimit të parave që janë ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Bëhet fjalë për qindra milionë euro të gjeneruara nga trafiku ndërkombëtar i drogës dhe të injektuara më pas në ekonominë shqiptare, kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Për vite me radhë, shumëkush ka pyetur se ku gjendeshin paratë për betonin që mbinte pa pushim në Tiranë dhe përgjatë bregdetit shqiptar. Sot, të paktën një pjesë e kësaj pyetjeje duket se ka marrë përgjigje. Nga trafiku i drogës.
I pari është operacioni i njohur si “Korporata Aruba”. Emri i tij buron nga ishulli karaibas ku, në fund të janarit 2019, një grup shtetasish shqiptarë u mblodhën jo për arsye turistike, por për të diskutuar fatin e dhjetëra projekteve ndërtimore në Tiranë dhe përgjatë bregdetit shqiptar.
Me 20 masa sigurie dhe me qindra milionë euro pasuri të sekuestruara, Prokuroria e Posaçme hodhi dritë mbi gjurmët e parave të drogës në disa prej projekteve më të mëdha ndërtimore të dekadës së fundit, përfshirë kullat “Garden Building” dhe “Colonnade” në Tiranë, resortin “Green Coast” në Palasë, një truall pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokash në Zvërnec dhe përgjatë vijës bregdetare.
Operacioni i dytë nuk ndryshon në thelb as për nga skema dhe as për nga natyra e aktivitetit kriminal. Me vendimin e 15 qershorit 2026, Gjykata e Posaçme urdhëroi sekuestrimin preventiv të 491 pasurive me një vlerë të dyshuar prej rreth 150 milionë eurosh. Midis tyre përfshiheshin 266 pasuri të paluajtshme, 121 prej të cilave në kompleksin Porto Lalzi, 209 llogari bankare dhe automjete të shumta.
Në qendër të këtij grupi figurojnë Eldi Dizdari, alias Denis Matoshi, Dritan Gjika dhe tetë persona të tjerë. Hetimet tregojnë se gjatë viteve 2019–2021 kjo strukturë ka operuar në Amerikën Latine dhe në disa shtete europiane, duke trafikuar të paktën 50 tonë kokainë, me pesë episode të dokumentuara trafikimi nga Ekuadori dhe Kolumbia drejt Belgjikës dhe Holandës.
Goditje të kësaj natyre ndaj figurave të njohura të krimit të organizuar, emrat e të cilëve prej vitesh përmenden edhe në lidhje me segmente të politikës, mund të konsiderohen pa hezitim si tregues të një niveli të ri të kapacitetit goditës të SPAK-ut.
Dy operacione madhore brenda pak ditësh krijojnë përshtypjen se nuk kemi të bëjmë me veprime sporadike, por me elementë të një strategjie më të gjerë. Nëse është kështu apo jo, do ta tregojnë zhvillimet e ardhshme.
Megjithatë, një përfundim mund të nxirret që tani. Këto dosje tregojnë se territori shqiptar është depërtuar thellësisht nga rrjete kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Dhe se nevoja për një ofensivë të gjerë kundër tyre nuk është më zgjedhje politike. Është domosdoshmëri shtetërore.
Por dimensioni më tronditës i këtyre dosjeve nuk është kriminal. Është financiar.
Vetëm në njërën prej tyre flitet për pasuri me vlerë mbi 128 milionë euro. Dhe ajo që të godet nuk është vetëm shifra. Është lehtësia me të cilën dhjetëra milionë euro lëvizin nga një vend në tjetrin, nga një kompani te tjetra, nga një projekt te tjetri.
Një fuqi e tillë ekonomike nuk përfaqëson thjesht pasuri. Ajo përfaqëson aftësinë për të blerë ndikim, për të siguruar heshtje, për të korruptuar institucione dhe, në rastin më të keq, për të imponuar vullnetin e saj mbi vetë shtetin.
Nga leximi i dosjeve krijohet përshtypja se segmente të shtetit shqiptar nuk kanë qenë thjesht spektatorë të fenomenit. Në shumë raste ato duket se janë shndërruar në mekanizma lehtësues të tij.
Shfaqet logjika e një sistemi ku përfitimi ekonomik zëvendëson detyrimin ligjor dhe ku funksionari publik pushon së vepruari si garant i interesit publik për t’u kthyer në instrument të interesave private.
Paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal nuk kanë mbetur në kufijtë e organizatave kriminale. Ato janë transferuar në Shqipëri, fillimisht në formë cash dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani tregtare, projekte ndërtimi, hoteleri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Kjo është pika ku fenomeni kriminal shndërrohet në fenomen ekonomik.
Dosjet tregojnë se pastrimi i parave realizohej përmes fragmentimit të pronave, tjetërsimeve të shumta dhe transaksioneve të ndërlikuara, me qëllim humbjen e gjurmëve të origjinës së kapitalit. Faza përfundimtare ishte integrimi i këtyre fondeve në projekte zhvillimi dhe ndërtimi, duke përzier të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme.
Industria e ndërtimit në Tiranë dhe përgjatë Rivierës Shqiptare paraqitet si pika ku ky rrjet global takohet me ekonominë shqiptare. Është aty ku kapitali kriminal transformohet në beton, në rezorte, në kulla, në prona dhe në investime që në pamje të parë duken krejtësisht legjitime.
Dhe pikërisht këtu qëndron elementi më shqetësues.
Nuk kemi të bëjmë vetëm me trafik ndërkombëtar narkotikësh. Kemi të bëjmë me shndërrimin e të ardhurave kriminale në faktor ekonomik me ndikim real mbi tregun, zhvillimin urban, konkurrencën e lirë dhe potencialisht mbi vetë procesin e vendimmarrjes publike.
Për vite me radhë, shumë prej këtyre fenomeneve janë perceptuar intuitivisht. Janë diskutuar në kafene, në media dhe në debatet publike. Janë konsideruar shpesh si hamendësime.
Tani nuk kemi më hamendësime.
Kemi materiale hetimore. Kemi vendime gjyqësore. Kemi prova të mbledhura nga agjenci ligjzbatuese të një pjese të konsiderueshme të Europës Perëndimore.
Pikërisht për këtë arsye, dosjet e fundit kërkojnë më shumë se reagime politike apo deklarata televizive. Ato kërkojnë reflektim serioz mbi mënyrën se si ka funksionuar Shqipëria gjatë viteve të fundit.
Sepse nëse këto dosje provojnë ekzistencën e një mekanizmi të gjerë pastrimi parash, atëherë hetimi nuk mund të ndalet tek trafikantët.
Pyetjet e vërteta fillojnë pikërisht aty ku mbarojnë emrat e tyre.
Si kanë hyrë konkretisht këto para në Shqipëri? Përmes cilëve mekanizma financiarë kanë qarkulluar? Cilat institucione kishin detyrimin ligjor për t’i identifikuar? Kush i ka dhënë lejet e ndërtimit? Kush ka miratuar projektet? Kush ka verifikuar burimin e financimeve? Kush ka kontrolluar detyrimet fiskale? Dhe mbi të gjitha: kush ka vendosur të mos shohë?
Nga leximi i dosjeve krijohet përshtypja se mekanizmi shqiptar i parandalimit të pastrimit të parave ka dështuar në mënyrë alarmante. Për vite me radhë, qindra milionë euro me origjinë kriminale duket se kanë hyrë në ekonomi pa hasur pengesa serioze, duke u transformuar në kulla, resorte, prona dhe investime. Ajo që bie më shumë në sy nuk është frika e protagonistëve nga shteti, por mungesa e saj. Në dosje nuk shfaqen individë të shqetësuar se mund të zbulohen, të bllokohen apo të mos marrin lejet e nevojshme. Përkundrazi, krijohet përshtypja se mjaftonte të kishin kapitalin, dëshirën dhe projektin, ndërsa pjesa tjetër ishte thjesht procedurë. Pikërisht kjo ngre dyshimin se problemi nuk qëndron vetëm tek paratë e krimit, por edhe tek dështimi i institucioneve që kishin detyrimin t’i ndalonin ato.
Nëse do të ndëshkohen vetëm ata që kanë prodhuar kapitalin kriminal, por jo ata që i kanë hapur dyert atij kapitali, atëherë do të goditet pasoja dhe jo shkaku. Do të goditen ekzekutorët, por jo mekanizmi.
Dhe pikërisht këtu fillon testi i madh i SPAK-ut.
Jo nëse mund të arrestojë trafikantë. Këtë e ka provuar. Jo nëse mund të sekuestrojë pasuri. Edhe këtë e ka dëshmuar.
Tani trafikantët janë zbuluar. Pyetja është nëse do të zbulohen edhe ata që i pritën, u hapën dyert dhe u firmosën projektet. Sepse paratë e drogës nuk ndërtojnë kulla vetëm me vinça. U duhen firma, vula, leje ndërtimi dhe një shtet që zgjedh të mos pyesë: nga dolën gjithë këto para?






















