Editorial 2 July 2026, 14:09 Nga VNA

Nga komploti ndërkombëtar te flamingot: si ndryshoi narrativa e Ramës brenda 33 ditësh

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-02 at 2.09.34 PM.jpeg

Nga “vendet jo mike” te flamingot. Pas 33 ditësh, Ramës i kanë mbetur vetëm vezët

Prej 33 ditësh, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar edhe mënyrën se si i sheh protestuesit. Në fillim, të gjithë ishin, sipas tij, të nxitur nga vende jo mike dhe individë në shërbim të tyre për të destabilizuar vendin. Javën e fundit, megjithatë, ai ka bërë një ndarje të re: nga njëra anë “protestuesit e vërtetë”, ata që dolën për natyrën dhe flamingot; nga ana tjetër, ata që hedhin vezë, përplasen me policinë apo radikalizojnë protestën. Por, pavarësisht mënyrës se si protestojnë, të gjithë kanë një kërkesë të përbashkët: largimin e Edi Ramës.

Prej ditës së pestë të protestës, Rama deklaroi se pas protestës qëndronin vende jo mike. Më pas e çoi edhe më tej këtë tezë, duke lënë të kuptohej se individë të caktuar, mes organizatorëve të protestës, ishin vënë në shërbim të këtyre vendeve për të destabilizuar Shqipërinë.

Këto nuk ishin deklarata të zakonshme politike. Ishin akuza shumë të rënda. Akuza për veprimtari që, nëse janë të vërteta, nuk përbëjnë debat politik, por vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare.

Sot protesta ka hyrë në ditën e 33-të.

Pas 33 ditësh, ligjërimi politik nuk mjafton më. Propaganda nuk mjafton më. Nëse Kryeministri ka informacion se shtetas shqiptarë janë paguar nga vende jo mike për të destabilizuar vendin, atëherë ai nuk ka për detyrë ta përsërisë këtë në konferenca shtypi. Ka për detyrë ta kallëzojë në prokurori.

Besohet se Rama nuk flet kot. Përkundrazi. Si Kryeministër, ai duhet të jetë njeriu më i informuar i Republikës. Pikërisht për këtë arsye lind edhe pyetja më e thjeshtë.

Ku janë kallëzimet penale?

Nëse ekzistojnë prova për veprimtari armiqësore, për financime nga vende të huaja, për organizim të dhunës dhe për tentativa për të cenuar rendin kushtetues, atëherë ato nuk mund të mbeten pjesë e një fjalimi politik. Ato duhet të jenë prej javësh në SPAK.

Nëse nuk janë, atëherë mbeten vetëm dy mundësi.

Ose akuzat nuk kanë pasur bazë dhe janë përdorur si instrument politik për të delegjitimuar protestën.

Ose Kryeministri ka dijeni për krime të rënda kundër shtetit dhe nuk i ka kallëzuar, gjë që do të ishte po aq e rëndë.

Për ta ndihmuar, kemi qëmtuar aq nene sa Kodi Penal ka dhe që mund të transpozojnë në kod veprat për të cilat flet Rama.

Neni 217 – Marrja e shpërblimeve

Neni 218 – Vënia në shërbim të shteteve të huaja

Neni 223 – Thirrjet publike për veprime të dhunshme

Neni 230/ç – Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur

Neni 235 – Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik

Neni 236 – Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik

Neni 237 – Goditjet për shkak të detyrës

Të gjitha këto dispozita ekzistojnë në Kodin Penal dhe janë pikërisht instrumentet ligjore që shteti përdor kur përballet me veprimtari të tilla.

Prandaj, pas 33 ditësh, debati nuk është më nëse protestuesit po hedhin vezë, po u marrin kapelet policëve apo po gërvishtin makinën e deputetit Erion Braçe.

Debati është një tjetër.

A ekziston apo jo skenari që përshkroi Edi Rama?

Nëse ekziston, SPAK duhet të ketë marrë prej kohësh kallëzimet penale.

Nëse nuk ekziston, atëherë edhe narrativa e “vendeve jo mike” duhet të marrë fund.

Sepse shteti nuk funksionon me metafora, as me flamingo. Funksionon me prova, me kallëzime dhe me dosje penale. Pas 33 ditësh, është koha që Kryeministri të zgjedhë në cilën anë qëndron: te dosjet, apo te fjalimet.

Video

Sa të mbyllim dialogun me studentët do ulemi edhe me ata të IMT

I riu flet për dhunën e ushtruar nga njerëz me maska

Pas sherrit me Flamur Nokën, Taulant Balla shfaqet me gishtin e fashuar

Këshillë për Braçen: Meqë ke kaq shumë klikime, monetizoje Facebook-un, por na e kurse moralin.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme