Deklarata e presidentit të Ukrainës Vladimir Zhelenski në vizitën e tij të fundit në Beograd, që konfirmoi pa ekuivok qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë Kosovës me argumentin e ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë, me të drejtë ka shkaktuar zemërim ndër shqiptarët e dy shteteve shqiptare, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë u hoq flamuri me përmasa të mëdha i Ukrainës me parullën “Ukraina e lirë”. Në Tiranë protesta e përditshme për “Shqipërinë e Re” në ditën e saj të 71-të bëri pjesë të saj reagimin kundër deklaratës së Zhelenskit, pasuar me demonstrimin me hijeshi përpara ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës dhe ndryshimin e emrit të rrugës nga Ukraina e Lirë në Dardania e Lirë.
Kanë reaguar me deklarata zyrtare edhe ministritë e punëve të jashtme të të dy shteteve shqiptare, ndërkohë të dy vendet ende strehojnë ukrainas të ikur nga lufta. Furia e zemërimit në rrjete sociale dhe në tërësi situata e shkaktuar nga deklarimi i Zhelenskit nxjerr lakuriq disa të vërteta për ne shqiptarët.
Është turp për këdo në Shqipëri apo Kosovë që përpiqet ta justifikojë deklarimin e Zhelenskit si përllogaritje interesash nisur nga situata ku ndodhet Ukraina. Nëse është përllogaritje interesi, është një përllogaritje e gabuar dhe madje e trashë nga ana e Zhelenskit apo e këshilltarëve që mund t`ia kenë këshilluar.
Kosova nuk ka qenë pjesë integrale e territorit serb, ashtu si Ukraina nuk ka qenë pjesë integrale e territorit të Rusisë. Të dyja këto shtete kanë qenë njësi të ish-shteteve federative, përkatësisht Jugosllavisë dhe BRSS-së. Kosova zyrtarisht njihej me emërtim krahinë autonome, me elemente vetëqeverisjeje dhe ajo ishte e tillë nën ombrellën e Serbisë në kuadër të ish-Jugosllavisë.
Ukraina dhe Kosova shpallën pavarësinë në proceset e shpërbërjes së këtyre federatave dhe kaluan në proceset e njohjes si shtete të pavarura.
Kurrfarë copëzimi të integritetit territorial nuk i është shkaktuar Serbisë nga shkëputja e Kosovës apo Rusisë nga shkëputja e Ukrainës. Madje distanca që ka Kosova me Serbinë në përbërje e histori është shumë herë më e madhe dhe e theksuar sesa ajo ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, e në fakt ne popujve josllavë nuk na ngjajnë fare të ndryshëm.
Kompleksitetet e proceseve të shkëputjes dhe të njohjes të të dyja shteteve lidhen me konjuktura ndërkombëtare dhe me faktin që Serbia u tregua shtet agresor më i ashpër dhe primitiv ndaj Kosovës sesa Rusia ndaj Ukrainës. Si e tillë Kosova nuk përngjan aspak me copëzat që sot janë në territorin e Ukrainës ku trupat ruse janë të pranishme. Kosova është si Ukraina në planin e gjerë ose makro.
Në planin mikro, pra të pretendimeve territoriale dhe që për pasojë sjellin nevojën e ruajtjes së integritetit territorial, paralelet janë mes pretendimeve agresore ruse dhe serbe kundrejt territoreve të Ukrainës dhe Kosovës.
Rusia ka shkelur me ushtri dhe i është mbivendosur autoritetit të ligjshëm ukrainas në pjesën lindore të Ukrainës (përjashtohet Krimeja që në fakt nuk është dhe aq territor ukrainas). Po ashtu dhe Serbia ka përdorur veriun e Mitrovicës dhe zonat ku ka ca popullsi serbe, e cila në total nuk përbën as 2.5% të popullsisë gjithsej (përkundrejt mbi 17% rusë në popullsinë e Ukrainës - sipas censit të tyre më të fundit të kryer), për të ndërhyrë në punët e shtetit të Kosovës e për ta sabotuar atë.
Nëse do të duhej të fliste për respektim të integritetit territorial, Zhelenski duhet të dalë në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, jo të Serbisë. Serbia ka ende territor për të lëshuar (Vojvodinën, Preshevën e Bujanovcin), jo për të marrë, ashtu si Rusia, nëse e sjellin rrethanat historike, do të duhet të vijojë të shpërbëhet se mban brenda vetes pjesë e popuj që nuk i përkasin.
Pra, Zhelenski dhe e gjithë përllogaritja ukrainase është e gabuar. Duke barazuar Kosovën me copëzat që u ka pushtuar Rusia dhe Ukrainën me Serbinë, vetë Ukraina i ka dhënë argumentin më të mirë Rusisë së Putinit.
Në Ballkan agresori, pra Rusia, është Serbia. Duke mos njohur Kosovën dhe duke e konsideruar pjesë të territorit të Serbisë, Ukraina del në krahun e shtetit agresor, pra në krahun e Rusisë, dhe në kundërshtim me aleatët perëndimorë, sidomos më SHBA-në që qartësisht e kanë argumentuar rastin e Kosovës, si dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.
Njëherësh Zhelenski ka anatemuar si ushtri apo fuqi agresore (retorikë që e përdor Serbia) vendet e NATO-s, veçanërisht SHBA-në, të cilat kanë kontribut të qenësishëm në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Llogaritje “shumë e zgjuar” për një vend që kërkon dhe hyrje të përshpejtuar në BE.
Paralelizmin me Kosovën nxitoi ta bënte që në fillim Rusia si në Ukrainë dhe në Gjeorgji dhe mori shtjellimin e saktë të rastit të Kosovës nga SHBA-ja. Mjafton klasifikimi se “Kosova është rast sui generis” për të mos hequr paralele të tjera. Mirëpo, (jo)çuditërisht Zhelenski preferon të deklarohet me argumentet e Putinit.
Në fakt, Zhelenski nuk ka gabuar në deklaratën dhe përllogaritjen e tij. Ai nuk do të duhej t`i dilte në krah Serbisë dhe Vuçiçit qoftë edhe për faktin që ky shtet e ky udhëheqës nuk kanë pranuar, edhe me koston e kritikave nga BE (përveç Ramës), të mos i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, pra armikut të Ukrainës.
Megjithatë, Zhelenski e gëlltit dhe këtë, sepse në themelin e tij dhe të politikës së Ukrainës mbetet besnikëria ndaj sllavizmit kundër popujve josllavë. Qëndrimi i tij dhe politikës së shtetit të tij është thjesht qëndrim i pastër racist, që në Ballkan merr formën më të ashpër kundër shqiptarëve (të njëjtin pozicion mban dhe Sllovakia, megjithëse para 90-ës nuk ishte e pavarur, pavarësisht se Çekia nuk u soll kurrë si Serbia, dhe pas rënies së komunizmit pati shkëputjen më miqësore që mund ti ofrohej – pra për nga situate e kaluar Sllovakisë i takonte ta njihte ndër të parët Kosovën).
Edhe në ditët më të vështira për Ukrainën politika e atij vendi nuk lëviz asnjë centimetër nga kjo frymë raciste. Aq i fortë është sllavizmi i Zhelenskit, sa që nuk mënon të shkelë brutalisht mbi të gjithë solidaritetin që shfaqën të dyja shtetet shqiptare ndaj Ukrainës, kur u sulmua nga Rusia.
Këtu qëndron faji ynë, më saktë i politikës që ndjekin qeveritë e shteteve shqiptare që priren nga servilizmi, nga kompleksi i inferioritetit, apo si në rastin e qeveritarëve shqiptarë nga dëshira për protagonizëm individual, dhe aspak nga dinjiteti shtetëror dhe marrëdhënia e ekuilibruar. Çfarë bëmë ne?
Ishte e drejtë që dolëm kundër Rusisë dhe iu bashkuam aleatëve në vendosjen e sanksioneve, sepse asessi nuk mund të jenë shqiptarët me shtetet agresore. Përndryshe do ishim si Zhelenski dhe do përkrahnim argumentin kundër interesit tonë.
Por harruam që me shumë zell Ukraina ka qenë përkrahëse e shteteve sllave në Ballkan në operacione luftarake kundër shqiptarëve. Dhe kaluam në një propagandim publik gati histerik në mbrojtje të Ukrainës e në pritje refugjatëve ukrainas.
Në Shqipëri ambasadori ukrainas na u shndërrua në një lloj heroi të përvuajtur, që rreshtohej në marshimet solidarizuese bulevardit të Tiranës, që organizonte mbledhje ndihmash nga qytetarët shqiptarë apo bizneset, etj.
Të gjithë kujtojmë pelegrinazhin e kryeministrit Rama, ish-ministres së jashtme Spiropali, e zyrtarëve të tjerë në Ukrainë, pritjet e Zhelenskit në Shqipëri dhe përqafimet vëllazërore me të që nga Begaj, Veliaj, e me radhë në çdo rast që u jepej mundësia për foto e video.
Pa harruar rolin e bashkëhartuesit që mori qeveria e Republikës së Shqipërisë me SHBA për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ky i fundit me sa duket është luajtur vetëm në funksion të profilit të kryeministrit dhe të përfaqësuesit që Shqipëria kishte atëherë në OKB, ministri aktual i jashtëm.
Me sa po shihet as Edi Rama dhe as Ferid Hoxha, madje as e dekoruara princeshë Ollga, Elisa Spiropali, nuk paskan arritur dot të informojnë sadopak Zhelenskin mbi llogaritë që duhet të bëhen me shqiptarët dhe njohjen e shtetit të Kosovës. Deklarata e tij në Beograd ua shkelmoi të gjithë servilizmin.
Shqipëria dhe Kosova në çdo rast janë të detyruar të rreshtohen me aleatët e tyre, por në çdo rast duhet të kenë në vëmendje interesat shtetërorë dhe mbi atë bazë të kalibrojnë entuziazmin dhe zellin për ngjarjet ndërkombëtare, të cilat as varen prej nesh dhe as ndikohen prej nesh. Të paktën duhet kursyer roli i klounit diplomatik. Sepse në disa raste, sidomos kur vjen puna ndër popujt slave, përveç interesave ka dhe miqësi të përjeshtme.
Ndërsa deklarata rakitike të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë nuk vlen të analizohet më tej. Ajo vjen në vazhdën e politikës së lëpirjes me Serbinë, e politikës që ende udhëhiqet nga objektivat realë të projektit të Ballkanit të Hapur, si hapësirë mbizotërimi e Serbisë, pavarësisht se shitet si politikë e jokonfliktualitetit dhe e maturisë së një vendi që shpreson të jetë pjesë e BE-së.
Qëndrimin dinjitoz e dhanë sot ata që hoqën flamurin e Ukrainës në Prishtinë dhe ndryshuan emrin e rrugës në Tiranë (në fakt Këshilli i Bashkisë Tiranë duhet ta bëjë zyrtar këtë korrektim emir – që nuk do të ketë guximin ta bëjë).
Sa për refugjatët ukrainas në Shqipëri e Kosovë, ata janë të sigurt, sepse askush nga ne nuk ushqen ndjenja agresore.






















