Bota 16 September 2026, 08:21 Nga VNA

“Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”? Harta e re zbulon përmasat e jashtëzakonshme të rrjetit rrugor romak

Ndaje në Whatsapp


Shprehja “të gjitha rrugët të çojnë në Romë” ka mbijetuar për shekuj, por një studim i ri tregon se pas saj fshihet një realitet inxhinierik edhe më mbresëlënës nga sa mendohej.

Studiuesit kanë rindërtuar rrjetin e rrugëve të Perandorisë Romake dhe kanë arritur në përfundimin se ai shtrihej për rreth 300 mijë kilometra në Europë, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Rezultatet, të publikuara në Nature Communications, tregojnë sesi romakët krijuan atë që studiuesit e konsiderojnë sistemin e parë të transportit tokësor në shkallë kontinentale.

Rrugët lidhnin qytete, porte, qendra administrative dhe garnizone ushtarake nga Britania deri në Afrikën e Veriut dhe nga Gadishulli Iberik deri në Lindjen e Mesme.

Roma ishte natyrisht një nga nyjet më të rëndësishme.

Në vitin 20 para Krishtit, perandori Augustus ngriti në Forumin Romak “Milliarium Aureum”, ose Gurit të Artë të Miljeve, një monument që simbolikisht shënonte pikën nga ku mateshin distancat drejt provincave të perandorisë.

Por studimi sjell një surprizë.

Kur studiuesit analizuan të gjithë rrjetin, Kostandinopoja, Stambolli i sotëm, rezultoi në periudha të mëvonshme edhe më qendrore për udhëtimet tokësore nëpër perandori.

Kjo lidhej me pozicionin e saj strategjik mes Europës dhe Azisë dhe me zhvendosjen graduale të qendrës politike të botës romake drejt lindjes.

Rrugët romake ishin shumë më tepër se mënyra për të shkuar nga një qytet në tjetrin.

Ato ishin një nga instrumentet kryesore të fuqisë së perandorisë.

Legjionet mund të lëviznin më shpejt drejt provincave ku kishte rebelime apo kërcënime. Mallrat udhëtonin nga portet drejt qyteteve të brendshme. Lajmet, urdhrat administrativë dhe njerëzit qarkullonin në një territor jashtëzakonisht të madh.

Për ndërtimin përdoreshin materiale të ndryshme sipas zonës, përfshirë gurë të grimcuar, materiale lidhëse me bazë gëlqereje dhe pllaka guri.

Romakët njihen për rrugët e drejta, por studimi tregon se realiteti ishte më kompleks.

Kur terreni e lejonte, rrugët mund të ndiqnin linja relativisht të drejta. Në zona malore apo me pengesa natyrore, inxhinierët përshtatnin itinerarin me gjeografinë.

Lugina e lumit Po në Itali dhe pjesë të Francës veriore ishin ndër zonat ku terreni favorizonte rrugë më lineare.

Qendra të rëndësishme provinciale si Londra, Ankaraja dhe Korinthi rezultojnë të kenë qenë veçanërisht të lidhura me pjesën tjetër të rrjetit.

Por ndoshta pjesa më interesante është se shumë prej rrugëve nuk u zhdukën bashkë me Perandorinë Romake Perëndimore në vitin 476.

Ato vazhduan të përdoren për shekuj.

Gjurmët e tyre mund të dallohen edhe sot në infrastrukturën moderne. Reuters sjell si shembull rrugën N-340 në Spanjë, e cila ndjek pjesë të itinerarit të Via Augusta romake.

Pra, kur udhëtojmë sot në disa prej rrugëve të Europës, mund të jemi duke ndjekur itinerare të përcaktuara nga inxhinierë që jetuan rreth dy mijë vjet më parë.

Roma ndërtoi rrugët për të kontrolluar një perandori.

Por pa e ditur, krijoi edhe një skelet transporti që në disa vende vazhdon të ndikojë mënyrën se si lëvizim sot.

Video

Tensione janë regjistruar para ambienteve të Dhomave të Specializuara në Hagë, pak orë përpara nisjes së seancës për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Qytetarë shqiptarë janë grumbulluar pranë godinës për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Pas grumbullimit ka ndërhyrë policia holandeze, e cila u ka kërkuar pjesëmarrësve të shpërndahen. Efektivët kanë paralajmëruar se, nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdorej forcë për largimin e tyre. Gjatë ndërhyrjes është shoqëruar edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Policia ka deklaruar se nuk do të lejojë tensione pranë ambienteve ku do të zhvillohet seanca.

Një moment prekës është publikuar në prag të shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Në videon e shpërndarë në TikTok nga vajza e Jakup Krasniqit, mbesa e tij e vogël shihet duke puthur portretin e gjyshit. Pamjet shoqërohen me fjalët: “Unë s’jam e lirë pa lirinë tënde, gjysh”. Videoja është publikuar në një ditë vendimtare për procesin gjyqësor në Hagë. Sot, në orën 10:00, pritet të nisë seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Të katër ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat.

Sot në Hagë do të zhvillohet seanca për shpalljen e vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në pritje të vendimit, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin e Prishtinës, ku shumë prej tyre kanë kaluar të gjithë natën. Me këngë, flamuj kombëtarë dhe pranë “Flakës së Lirisë”, ata kanë shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së. Në shesh është vendosur edhe një ekran i madh, nëpërmjet të cilit qytetarët do të ndjekin drejtpërdrejt shpalljen e vendimit nga Haga. Ndërsa afrohet nisja e seancës, numri i të pranishmëve vijon të rritet.

Momente paniku janë regjistruar në një Boeing 737 të Sepehran Airlines, pak pas ngritjes nga Mashhadi drejt Kermanshahut. Pamjet nga brenda avionit tregojnë pjesë të paneleve dhe ndarjeve të sipërme të kabinës që shkëputen dhe bien, ndërsa avioni përballej me një problem teknik gjatë fluturimit. Ekuipazhi u rikthye në aeroportin e Mashhadit, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt. Nuk u raportuan persona të lënduar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme