
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë vendimin për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, pas kërkesave të paraqitura nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë. Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se vendimi i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Vendimi përcakton gjithashtu se tejkalimi i afatit për konstituimin e Kuvendit ka sjellë nisjen e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Sipas Kushtetueses, afati 60-ditor ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zgjedhin sa më parë nënkryetarin e Kuvendit që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Në të njëjtën kohë, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, duke lënë në fuqi vendimin për zgjedhjen e Qeverisë.
Vendimi e vendos tashmë fokusin te zgjedhja e kreut të ri të shtetit, për të cilën Kuvendi ka afat deri më 6 tetor.






















