Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Deklarata u lexua në seancë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se teksti ishte harmonizuar ndërmjet grupeve parlamentare. Haxhiu e vlerësoi miratimin si një qëndrim të përbashkët të Kuvendit lidhur me aktgjykimin.
Në dokument, Kuvendi shpreh shqetësim të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe e konsideron të papranueshëm përfundimin e trupit gjykues për ekzistencën e një “qëllimi kriminal të përbashkët”.
Përmes deklaratës, Kuvendi kërkon nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e asaj që e cilëson si të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare. Gjithashtu kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore për koordinimin e veprimeve juridike, institucionale dhe diplomatike lidhur me këtë çështje.
Në një tjetër pikë të deklaratës, Kuvendi i bën thirrje Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që të respektojnë mandatin e tyre, ndërsa kundërshton çdo përpjekje që, sipas dokumentit, do të vinte në pikëpyetje të vërtetën historike të luftës së Kosovës apo do të barazonte luftëtarët e UÇK-së me regjimin që ushtroi represion në Kosovë.
Pikat e deklaratës:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.






















