Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresmeni amerikan George Latimer, me rastin e konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe nisjes së mandatit të tij të ri si kryeministër.
Në letrën drejtuar Kurtit, Latimer ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryeministrin dhe institucionet e Kosovës në avancimin e vlerave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke përmendur demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik.
“Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj për avancimin e vlerave të përbashkëta të dy vendeve tona, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, ka shkruar Latimer.
Kongresisti amerikan është ndalur veçanërisht te çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, duke u bërë thirrje partive politike që të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një marrëveshje për kandidatin e ri për president.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Latimer.
Ai ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet partive për çështjet me interes kombëtar janë të rëndësishme për funksionimin e një shoqërie demokratike, duke iu referuar edhe përvojës së Shteteve të Bashkuara.
Thirrja e kongresistit amerikan vjen në një moment kur Kosova ndodhet përballë një afati të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. Gjykata ka vendosur se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit solli fillimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, ndërsa zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator 2026 u vlerësua se nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, procesi mund të çojë drejt një tjetër krize institucionale dhe, sipas parashikimeve kushtetuese, drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.






















