Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur zyrtarisht procedurën e tenderit për blerjen e "Sistemeve për Sigurinë Kibernetike". Me një fond limit prej 64,602,500 lekësh (rreth 650 mijë euro), procedura është shpallur me tender të hapur mbi kufirin e lartë monetar dhe afati për dorëzimin e ofertave është caktuar 31 ditë kalendarike, me datë zhvillimi më 5 nëntor 2026.
Forcimi i sistemeve mbrojtëse të SPAK-ut vjen pas precedentëve të cenimit të sigurisë digjitale të institucionit, ku u vu në shënjestër posta elektronike e prokurorëve të posaçëm dhe u tentua ndërhyrja edhe në e-mail-in e drejtuesit Altin Dumani.
Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, i cili hetohet për veprat penale që lidhen me ndërhyrjen e paautorizuar kompjuterike dhe përgjimin e paligjshëm të komunikimeve. Po ashtu, për këtë çështje janë vënë nën masën e sigurisë "arrest me burg" Arnold Rrokaj (ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit - IMT) dhe Zambak Gjoni (jurist, ish-zyrtar burgjesh), të cilët akuzohen si të përfshirë në skemën e hakerimit dhe shpërndarjes së të dhënave.
Përmes investimit të ri prej rreth 650 mijë eurosh, SPAK synon të ngrejë një mbrojtje të integruar digjitale, duke blerë pako softuerike të specializuara për mbrojtjen nga sulmet e jashtme dhe garantimin e konfidencialitetit të dosjeve hetimore.
Të dhënat mbi këtë procedurë janë bërë publike në databazën e re të monitorimit të tenderave në fushën e ICT-së dhe digjitalizimit nga Open Procurement Albania, e cila tashmë përfshin edhe gjurmimin e njoftimeve publike për kontratat në sektorët e klasifikuar.






















