Shqipëria ka pësuar humbjen e parë në Ligën e Kombeve, teksa është mundur 2-1 nga Finlanda në Helsinki, në një ndeshje ku kuqezinjtë luajtën për më shumë se një orë me 10 lojtarë.
Sfida nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Shqipërinë. Në minutën e 4-t, Kristjan Asllani ekzekutoi një goditje këndi dhe Rey Manaj u tregua i saktë me kokë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Por avantazhi nuk zgjati shumë. Në minutën e 22-të, Etrit Berisha doli jashtë zonës së rreptësisë dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Shqipërinë me një lojtar më pak. Në portë u fut Alen Sherri.
Finlanda shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike dhe vetëm katër minuta më vonë, në të 26-tën, Leo Walta barazoi rezultatin me një goditje të lirë. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1.
Në fraksionin e dytë, vendasit rritën presionin dhe e shtynë Shqipërinë gjithnjë e më pranë portës së saj. Kuqezinjtë u përpoqën të rrezikonin në kundërsulm, ndërsa Stavro Pilo pati një mundësi për të rikthyer avantazhin, por pa mundur të finalizojë.
Finlanda vazhdoi të këmbëngulte dhe në minutën e 71-të gjeti edhe golin e përmbysjes. Sërish ishte Leo Walta ai që ndëshkoi Shqipërinë, duke realizuar golin e dytë personal dhe duke i dhënë Finlandës fitoren 2-1.
Me këtë rezultat, Finlanda ngjitet në krye të Grupit C1 me 7 pikë, ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e dytë me 6 pikë pas tri ndeshjesh. Kuqezinjtë kishin fituar dy sfidat e para ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos, por tashmë kanë pësuar humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.






















