Endrick është kthyer në një nga emrat më të përfolur në merkato, me pesë prej klubeve më të mëdha të Premier League që po monitorojnë situatën e sulmuesit brazilian të Real Madridit.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, Chelsea, Arsenal, Manchester United, Manchester City dhe Liverpool po ndjekin nga afër situatën e 20-vjeçarit, në pritje të zhvillimeve të ardhshme rreth të ardhmes së tij.
Liverpooli kishte eksploruar mundësinë e transferimit të Endrickut gjatë merkatos së verës, ndërsa edhe Arsenali kishte zhvilluar kontakte me Real Madridin për një lëvizje të mundshme të brazilianit. Megjithatë, qëndrimi i klubit madrilen ka qenë i qartë, “Los Blancos” nuk kanë pasur dëshirë t’a lejojnë largimin e tij.
Real Madridi vazhdon ta konsiderojë Endrickun pjesë të planeve të tij për të ardhmen. Sulmuesi brazilian u rikthye në Madrid pas huazimit te Lyoni, ku pati një paraqitje të rëndësishme në pjesën e dytë të sezonit të kaluar.
Në 21 ndeshje me klubin francez, Endrick realizoi tetë gola dhe dha tetë asistime, duke rikthyer vëmendjen e disa prej klubeve të mëdha europiane.
Pavarësisht interesimit të fortë nga Premier League, drejtuesit e Real Madridit kanë sinjalizuar se nuk duan të heqin dorë nga braziliani. Klubi spanjoll e sheh atë si një investim për të ardhmen dhe synon t’i krijojë hapësirat e nevojshme për të treguar potencialin e tij në Madrid.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse interesimi i pesë gjigantëve anglezë do të shndërrohet në oferta konkrete apo nëse Real Madridi do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur për të ardhmen e sulmuesit brazilian.






















