Politika 19 October 2026, 10:59 Nga VNA

Rama dhe Vuçiç, i njëjti manual për menaxhimin e protestave

Ndaje në Whatsapp
Rama dhe Vuçiç, i njëjti manual për menaxhimin e

Nga Beogradi në Tiranë, e njëjta gjuhë përballë protestave: Rama dhe Vuçiç zbulojnë armikun e jashtëm sa herë u tronditet pushteti

Ka diçka të njohur në mënyrën se si Edi Rama po u përgjigjet protestave që kanë përfshirë Shqipërinë prej gati një jave. Aq të njohur, sa për të kuptuar retorikën e kryeministrit shqiptar mjafton të kthehesh pak muaj pas dhe të dëgjosh Aleksandar Vuçiçin në Beograd.

Ndryshojnë emrat, qytetet, flamujt dhe arsyet që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë. Por fjalori politik është pothuajse i njëjtë.

Në Serbi, Vuçiç e nisi duke dalluar studentët e ndershëm nga ata që, sipas tij, po përdoreshin për qëllime politike. Pastaj erdhën akuzat për destabilizim, ndërhyrje të huaja, përpjekje për revolucion me ngjyra dhe kërcënim ndaj shtetit. Në fund, oferta për dialog. Natyrisht, me kushtet e tij.

Në Tiranë, Rama po ndjek një linjë që ngjan shumë. Studentët mund të kenë shqetësime, por protesta, sipas tij, është marrë peng nga grupe të dhunshme. Pas trazirave shfaqet një dorë e huaj. Policia meriton mbështetje. Qeveria nuk mund të tërhiqet, sepse në lojë është e ardhmja europiane e Shqipërisë. Dhe kryeministri është i gatshëm të bisedojë me studentët, por jo me ata që i konsideron përgjegjës për dhunën.

Madje, Rama ka shkuar deri te pretendimi për një dron me eksploziv të drejtuar ndaj Kryeministrisë, një akuzë për të cilën publiku ende ka nevojë të shohë prova të verifikueshme.

Vuçiç fliste për mbrojtjen e Serbisë nga ndërhyrjet e jashtme. Rama flet për mbrojtjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Njëri e mbështjell qëndrimin e tij me sovranitetin kombëtar, tjetri me integrimin europian. Argumenti ndryshon sipas audiencës, por rezultati që kërkohet është i njëjtë: qëndrimi i qeverisë në pushtet të paraqitet si kusht për stabilitetin e vendit.

Edhe dialogu ka një ngjashmëri të çuditshme. Vuçiç i ftonte studentët të bisedonin, ndërsa njëkohësisht akuzonte pjesë të lëvizjes së tyre se po përdoreshin nga kundërshtarët e Serbisë. Rama i fton studentët në Kryeministri apo në fakultete, por ndërkohë vendos vetë se cilët janë protestuesit legjitimë dhe cilët nuk meritojnë të ulen në tryezë.

Sigurisht, Shqipëria nuk është Serbia dhe Rama nuk është Vuçiç. Protestat kanë shkaqe, histori dhe përmasa të ndryshme. Në Serbi, revolta shpërtheu pas tragjedisë së Novi Sadit dhe u shndërrua në një lëvizje të gjatë kundër korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Në Shqipëri, protesta nisi nga studentët dhe u zgjerua në një revoltë ku janë bashkuar pakënaqësi të ndryshme ndaj qeverisjes.

Por pikërisht këtu krahasimi bëhet interesant.

Sepse as Vuçiçit në Beograd dhe as Ramës në Tiranë nuk u mungon gatishmëria për të folur për protestuesit. Problemi fillon kur duhet të flasin për arsyet që i kanë nxjerrë ata në rrugë.

Në vend të përgjigjeve për përgjegjësitë e qeverisjes, debati zhvendoset te të maskuarit, ndërhyrjet e huaja, destabilizimi dhe rreziku që i kanoset shtetit. Dhuna e protestuesve kërkon pa dyshim hetim dhe përgjegjësi penale. Por po aq përgjigje kërkojnë edhe akuzat për dhunën policore, abuzimet me pushtetin dhe pakënaqësitë që kanë ushqyer protestën.

Rama, këtë të hënë, zgjodhi të takohej me drejtuesit e policisë dhe të përsëriste se shteti nuk negocion me dhunën. Një qëndrim që, i marrë veçmas, nuk ka asgjë të pazakontë. Por shteti nuk është vetëm policia, as qeveria nuk është e njëjta gjë me vendin.

Dhe ndoshta kjo është ngjashmëria më e madhe mes Tiranës dhe Beogradit. Sa herë që pushteti vihet përballë një revolte, kufiri mes mbrojtjes së shtetit dhe mbrojtjes së qeverisë fillon të mjegullohet.

Vuçiç e ka përdorur prej kohësh këtë gjuhë. Rama po përdor sot shumë prej të njëjtave argumente.

Mbetet vetëm një pyetje: nëse protestat janë vërtet produkt i armiqve të jashtëm, si shpjegohet që kaq shumë qytetarë kanë gjetur arsye të dalin në rrugët e vendeve të tyre?

Video

Tirana në flakë, por si fillim… një selfie! 🔥

Djali i 46-vjecarit Ismet Habili që bërtet e qan pasi mëson se babai i tij ka humbur jetën brenda automjetit të tij me një plumb në kokë.

Policia arreston të riun te Tajvani: “Po më marrin kot! Kisha vetëm një kokore dhe një antidjersë”.

🔴PAMJE TË RËNDA/ MOTRA PËRPIQET TË SHPËTOJË VËLLAIN NGA DUART E POLICËVE

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme