Edi Rama ka gjetur një tjetër mënyrë për t’u përballur me protestat e nxënësve dhe studentëve: u ka kërkuar mësuesve të mbajnë ditar. Të shkruajnë çfarë ndodhi, si ndodhi dhe të dokumentojnë gjithçka, në mënyrë që, kur situata të qetësohet, të kemi një mozaik të plotë të historisë, të cilit mund t’i rikthehemi për ta rilexuar dhe për të reflektuar.
Madje, kryeministri hodhi edhe idenë që ky ditar kolektiv të shërbejë për të rishikuar programet shkollore, veçanërisht në drejtim të ndërveprimit social.
Sepse, sipas Ramës, të rinjtë po humbasin sensin e marrëdhënieve sociale dhe empatinë. Një shqetësim që kryeministri e zbuloi papritur në vitin e 13-të të qeverisjes së tij, pikërisht kur nxënësit dhe studentët dolën në rrugë për të protestuar.
Ai foli për fëmijë që shfaqen në akte vandalizmi, për mungesë empatie dhe për një brez që duket se po shkëputet nga realiteti social.
Por në gjithë këtë analizë të gjatë për edukimin e të rinjve, mbetet një detaj i vogël: këta fëmijë janë rritur në shkollat e Shqipërisë së qeverisur prej tij. Programet, reformat, politikat arsimore dhe ministrat që i kanë drejtuar për 13 vjet nuk kanë ardhur nga ndonjë planet tjetër.
Tani mësuesve u kërkohet të mbajnë ditar për të kuptuar çfarë ka ndodhur me nxënësit e tyre.
Ndoshta nuk do të ishte keq që, krahas ditarëve të mësuesve, të hapej edhe ndonjë nga raportet e Ministrisë së Arsimit për këto 13 vite.
Sepse nëse pas 13 vitesh qeverisje kryeministrit i duhet ditari i mësuesve për të kuptuar çfarë nuk shkon me brezin që është arsimuar nën qeverisjen e tij, atëherë problemi nuk është se mungon historia. Problemi është se ai që duhet të japë llogari për historinë, kërkon t’ia shkruajnë të tjerët.






















