Pretendime për dhunë ndaj të miturve në komisariate, kontrolle të telefonave celularë pa vendim gjykate, shoqërime pa shkak të ligjshëm dhe punonjës policie pa numra identifikimi. Këto janë disa nga gjetjet shqetësuese që Avokati i Popullit ka bërë publike këtë të martë, pas monitorimit të ndërhyrjeve policore gjatë protestës së 19 tetorit në Tiranë.
Ahmet Prençi, drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), deklaroi në një konferencë për mediat se pesë të mitur kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht në Komisariatin nr. 1. Sipas tij, te dy prej tyre janë konstatuar edhe shenja dëmtimi fizik.
Problemet e evidentuara nuk kufizohen vetëm te pretendimet për dhunë. Në Komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari për njohjen me të drejtat e tyre. Vetëm pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, policia u kishte vënë në dispozicion formularin për të rriturit, i cili rezultonte gjithashtu i papërditësuar. Gjashtë të mitur ishin regjistruar në regjistrin e personave të rritur, ndërsa në Komisariatin nr. 4 regjistri i të miturve ishte plotësuar vetëm pjesërisht.
Një tjetër gjetje lidhet me kontrollin e telefonave celularë. Disa të mitur dhe të rritur kanë raportuar se punonjësit e policisë u kanë kërkuar të zhbllokojnë telefonat dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe në raste kur ndaj tyre nuk ishte ngritur asnjë akuzë nga prokuroria.
Avokati i Popullit ka evidentuar gjithashtu pretendime për përdorim të dhunës gjatë shoqërimeve. Personat e ndaluar kanë raportuar përdorimin e sprait me piper dhe gazit lotsjellës, goditje me bombola gazi, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike e psikologjike nga efektivët. Një prej ankuesve ka deklaruar se është goditur brenda një zyre të Komisariatit nr. 4, në një ambient ku nuk ka kamera sigurie.
Sipas gjetjeve të institucionit, disa qytetarë kanë pretenduar se janë shoqëruar në komisariate pa asnjë shkak të ligjshëm, ndonëse ishin kalimtarë të rastit dhe nuk kishin lidhje me protestën.
Problematike paraqitet edhe situata në Bllokun e Sigurisë, ku ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Avokati i Popullit ka konstatuar mbingarkesë të ambienteve, mungesë shtretërish, uji, ngrohjeje dhe kushte të pamjaftueshme për kujdesin mjekësor.
Në komisariatet nr. 2 dhe 4 janë evidentuar punonjës policie pa numra identifikues, ndërsa regjistrat e shoqërimeve rezultojnë me mangësi në dokumentimin e të dhënave.
Pas këtyre konstatimeve, Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ndalojë kontrollet e telefonave pa autorizimin e nevojshëm gjyqësor dhe kërkesat për fjalëkalime pa bazë ligjore. Institucioni kërkon gjithashtu që çdo punonjës policie në detyrë të mbajë numër identifikimi të dukshëm dhe që të gjitha ambientet e shoqërimit dhe intervistimit të pajisen me kamera sigurie.
Një kërkesë e veçantë është ruajtja e menjëhershme e pamjeve filmike të datës 19 tetor, si dhe garantimi i pranisë së prindit ose kujdestarit dhe psikologut gjatë intervistimit të të miturve.
Ministrisë së Brendshme i është kërkuar të ndërhyjë urgjentisht për të ulur mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, ndërsa Ministrisë së Shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit u kërkohet të garantojnë praninë e personelit mjekësor dhe dokumentimin e çdo dëmtimi fizik sipas Protokollit të Stambollit.
Në përfundim, Avokati i Popullit rikujtoi se e drejta e tubimit paqësor garantohet nga Kushtetuta dhe dënoi çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush ushtrohet.
Institucioni theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë publike, por përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë i domosdoshëm dhe proporcional.
Gjetjet e publikuara ngrenë çështje serioze mbi respektimin e të drejtave të qytetarëve gjatë ndërhyrjeve policore, veçanërisht të të miturve. Pretendimet për dhunë kërkojnë verifikim të mëtejshëm, ndërsa shkeljet procedurale të konstatuara kërkojnë masa konkrete dhe përgjegjësi institucionale.






















