
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër lidhur me protestat e fundit në Tiranë dhe mënyrën se si ato po pasqyrohen në ekranet televizive, duke mbrojtur reagimin e Policisë së Shtetit dhe duke akuzuar mediat për deformim të realitetit.
Sipas kreut të qeverisë, në çdo vend tjetër demokratik është krejt normale që numri i protestuesve të lënduar të jetë shumë më i lartë se ai i efektivëve, ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur. Përmes një analize të shifrave krahasuese me vendet europiane, Rama theksoi se "në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik."
Kryeministri u ndal veçanërisht te roli i mediave dhe emisioneve televizive, të cilat sipas tij kanë zëvendësuar ngjarjet reale me një narrativë dhune e terrori psikologjik antishtet. Ai u shpreh se përmes direkteve dhe emisioneve të mbrëmjes "u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit."
Duke vijuar me akuza të forta ndaj drejtuesve dhe analistëve në studio, Rama i cilësoi ata si një "armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet", duke shtuar se personat që paguhen me faturat e majme të korrupsionit dhe reklama instagrami "janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës."
Lidhur me përdorimin e termit "studentë", kryeministri sqaroi se i ka vendosur ata në thonjëza sepse shumë shpejt do të dalin me fytyrë e me fakte "plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore."
Në përfundim të reagimit të tij, Rama bëri një diferencim të qartë mes dhunuesve dhe rinisë universitare, duke nënvizuar se "studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët."























