
Pedagogët e universiteteve publike janë penguar nga forcat e policisë që t’u bashkohen studentëve në protestën që po zhvillohet pranë Kuvendit të Shqipërisë. Efektivët kanë bllokuar kalimin e tyre përmes një kordoni policor dhe barrierave metalike, duke shkaktuar tensione mes palëve.
Pedagogët, të cilët kishin nisur marshimin në mbështetje të studentëve, kanë kundërshtuar vendimin e policisë për të mos i lejuar të vijojnë rrugën drejt Parlamentit.
Gjatë përballjes me efektivët, një prej protestuesve u është drejtuar me pyetjen: “Çfarë do të bëni, mundje, grushte?”, duke kërkuar që të lejohej kalimi i tyre.
Situata është tensionuar më tej kur pedagogët kanë hequr barrierat metalike të vendosura nga policia, me qëllim që të vijonin marshimin dhe t’u bashkoheshin studentëve.
Ngjarja vjen në një kohë kur studentët po vijojnë protestat kundër qeverisë, ndërsa pedagogët kanë shprehur mbështetjen për ta dhe kanë njoftuar bojkotimin e procesit mësimor në universitetet publike.






















