
Studentët dhe pedagogët vijojnë protestën në ditën e nëntë të revoltës, duke u zhvendosur nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit.
Pas tubimit përpara godinës së qeverisë, protestuesit kanë rinisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre dhe duke refuzuar dialogun e propozuar nga kryeministri Edi Rama.
Më herët, studentët dhe pedagogët ishin nisur nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë, ku larguan karriget e vendosura në mënyrë simbolike nga kreu i qeverisë për të zhvilluar një takim me ta.
Ndërkohë, protesta ka marrë mbështetjen e Sindikatës së Pedagogëve, e cila ka shpallur bojkotin e mësimdhënies në universitetet publike, duke nisur nga kjo e mërkurë dhe deri në një vendim të dytë.
Pavarësisht ftesave për dialog, studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Ramës, ndërsa revolta e tyre ka hyrë në ditën e nëntë pa një zgjidhje mes palëve.






















