
Protesta kishte përfunduar, por ndërhyrjet e policisë jo. Mbrëmjen e së martës, efektivë me uniformë dhe civilë kanë hyrë në bare e restorante të Tiranës, ku kanë kontrolluar dhe shoqëruar të rinj, disa prej të cilëve dyshohet se kishin marrë pjesë në protestë.
Mes personave të pranishëm në këto ambiente mund të ketë pasur edhe të rinj që ndodheshin në vendin e tyre të punës, pa lidhje me protestën.
Por çfarë e justifikon hyrjen e policisë në një lokal dhe shoqërimin e personave që ndodhen aty? A janë identifikuar këta të rinj si të dyshuar për vepra konkrete penale, apo është mjaftuar fakti që mund të kenë qenë pjesëmarrës në protestë?
Pjesëmarrja në një protestë nuk përbën në vetvete vepër penale. Policia ka të drejtë të ndërhyjë dhe të shoqërojë persona vetëm në kushtet e parashikuara nga ligji, duke respektuar garancitë procedurale dhe të drejtat e tyre.
Prandaj, Policia e Shtetit duhet të sqarojë arsyet e ndërhyrjeve, bazën ligjore të shoqërimeve, numrin e personave të shoqëruar dhe nëse mes tyre ka pasur të mitur apo punonjës të lokaleve.
Sepse përfundimi i një proteste nuk mund të shënojë fillimin e kontrolleve dhe shoqërimeve pa një shkak të ligjshëm e të dokumentuar.






















