Editorial 22 October 2026, 15:25 Nga VNA

Edhe njëherë, opozita i dha Edi Ramës show-n që i duhej

Ndaje në Whatsapp
Edhe njëherë, opozita i dha Edi Ramës show-n që i duhej

Këtë të enjte, Parlamenti u mblodh për herë të parë pas protestave të dhunshme në kryeqytet. Në kulmin e krizës, pritej që Kuvendi të kishte në fokus situatën e krijuar, përgjegjësitë për atë që kishte ndodhur dhe mundësitë për një zgjidhje.

Por asnjëra nga palët nuk surprizoi për mirë. Socialistët kishin hallin të miratonin shpejt e shpejt rendin e ditës. Partia Demokratike iu kthye skenarit të vjetër e të konsumuar të bllokimit të foltores.

Kulmi ishte përplasja fizike, fillimisht mes Flamur Nokës dhe Taulant Ballës e më pas edhe mes deputetëve të tjerë.

Një seancë që duhej t’i kushtohej gjendjes së jashtëzakonshme në rrugët e kryeqytetit, i pati të gjitha, përveç shqetësimeve të qytetarëve. Sharje, shtyrje, grushte, deputetë të buzëqeshur dhe të tjerë që mezi prisnin të largoheshin.

PS e kaloi edhe këtë seancë pa u përballur me një debat për atë që po ndodh jashtë Kuvendit. Ndërsa opozita, që duhej ta kërkonte me këmbëngulje këtë përballje, prodhoi pamjet që e zhvendosën vëmendjen te sherri i radhës.

Çfarë fitojnë studentët nga bllokimi i foltores? Çfarë përgjigjeje morën familjet e të arrestuarve? Kujt iu kërkua llogari për dhunën?

Në fund, nga seanca mbetën pamjet e Nokës me Ballën. Pikërisht ato që do të përsëriten në ekran, duke lënë në hije arsyen përse qytetarët kanë dalë në rrugë.

Dhe kështu, Edi Ramës i erdhi edhe njëherë në ndihmë opozita, duke i dhënë shown-n që i duhej. 

Video

Qytetarët refuzojnë sërish dialogun me Kryeministrin, largojnë blloqet e betonit.

Protestuesit largohen nga Parlamenti dhe marshojnë drejtë Kryeministrisë.

Pas disa orësh qëndrimi përpara Kuvendit, studentët, pedagogët dhe qytetarët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë. Protestuesit kanë bërë thirrje të vazhdueshme kundër qeverisë dhe klasës politike. Tubimi i sotëm po zhvillohet në mënyrë paqësore me thirrjet kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Ky marshim shënon ditën e dhjetë të protestave të rinjve dhe trupës akademike.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme