Teksa vendi ka kaluar disa prej ditëve më të vështira të viteve të fundit, me protesta të dhunshme, përplasje mes të rinjve dhe policisë dhe dhjetëra të arrestuar, Edi Rama duket se ka zgjedhur sërish të bëjë atë që di më mirë: ta zhvendosë vëmendjen te show.
Një ditë më parë, Kryeministri nxori disa karrige të kuqe përpara zyrës së tij dhe ftoi studentët për dialog. Një ftesë që erdhi pasi prej ditësh në rrugët e Tiranës qarkullonin pamje të të rinjve që goditeshin, tërhiqeshin zvarrë apo përfundonin në komisariate.
Studentët nuk e pritën mirë. Karriget u rrëzuan dhe u thyen, ndërsa përgjigjja e tyre ishte e qartë: nuk duan negociata me Edi Ramën kryeministër.
Kur u duk se me kaq kishte përfunduar edhe kjo përpjekje, Rama u shfaq sërish mëngjesin e sotëm para Kryeministrisë. Karriget këtë herë nuk ishin të kuqe, por të zeza. Ftesa ishte e njëjta.
“Dora ime është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe”, shkroi Rama, ndërsa u bëri sërish thirrje protestuesve të ulen në dialog.Por bashkë me ftesën nuk munguan as kërcënimet.
Ende pa u harruar pamjet e ditëve të fundit, Kryeministri vijoi të flasë për pasojat që do të kenë ata që përfshihen në dhunë gjatë protestave.
Ndërkohë ajo që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve nuk është zhdukur. Të rinj të dhunuar, arrestime, akuza të forta ndaj policisë, përplasje në rrugët e Tiranës dhe një protestë që tashmë ka marrë edhe mbështetjen e pedagogëve.
Por Edi Rama duket se po përpiqet ta çojë debatin diku tjetër, duke e zhvendosur vëmendjen nga ajo që ka ndodhur në rrugët e Tiranës te karriget e vendosura përpara Kryeministrisë dhe ftesa e tij për dialog.
Nuk është hera e parë që Rama përdor komunikimin për të ndryshuar fokusin e debatit kur ndodhet përballë një situate të vështirë. Këtë herë janë karriget.
Dje ishin të kuqe dhe studentët i thyen, sot janë zëvendësuar me të zeza. Por ndryshimi i ngjyrës nuk ndryshon atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve dhe as arsyet që vazhdojnë t'i mbajnë të rinjtë në rrugë. Dhe sado të ndryshojë ngjyra e karrigeve, ajo që ka ndodhur këto ditë nuk mund të zhbëhet duke e kthyer edhe një herë hallin e shqiptarëve në show.






















