Editorial 11 October 2026, 07:23 Nga D.M

Sytë dhe veshët në dhomat e gjumit, duart në xhepat e shqiptarëve

Ndaje në Whatsapp
Sytë dhe veshët në dhomat e gjumit, duart në xhepat e

Ata që nuk e njihnin Blerina Matrakun si këngëtare, patën rastin ta njihnin mbrëmë në televizion. Jo për ndonjë këngë të re, as për një sukses artistik, por për videot intime që prej ditësh qarkullojnë në publik dhe që e kanë kthyer jetën e saj private në një histori kombëtare.

Në studion e “Goca dhe Gra”, ajo rrëfeu se ishte ndier e tradhtuar, e përdorur dhe e poshtëruar nga një njeri të cilit i kishte besuar për 20 vjet. Tha se nuk kishte pasur dijeni për kamerat që regjistronin në banesën e kompozitorit Adi Hila dhe se sot ndihej e penduar për marrëdhënien me të.

Nëse gjithçka që ajo pretendon është e vërtetë, kemi të bëjmë me një histori të shëmtuar të shkeljes së besimit dhe privatësisë. Askush nuk meriton t’i ekspozohet intimiteti në publik, pavarësisht zgjedhjeve që ka bërë në jetën personale. Dhe askush nuk duhet të paguajë me dinjitetin e vet për kureshtjen e të tjerëve.

Por përtej fatkeqësisë personale të kësaj gruaje, ka diçka tjetër po aq shqetësuese: lehtësia me të cilën një vend i tërë mund të zhvendosë vëmendjen nga problemet e veta te dhoma e gjumit e dikujt tjetër.

Shqiptarët po përballen me një realitet ekonomik gjithnjë e më të vështirë, me korrupsionin, me institucione që shpesh u kërkojnë shumë dhe u japin pak, me një politikë që vendos çdo ditë për paratë, pronat dhe të ardhmen e tyre. Por në ekranet e telefonave dhe në studiot televizive, prej ditësh, historia që merr më shumë hapësirë është ajo e disa videove intime.

Në këtë histori, nëse provohet se regjistrimet janë bërë pa dijeninë e personave të përfshirë, përgjegjësia morale rëndon mbi kompozitorin tashmë famëkeq Adi Hila, nëse ai ka qenë autor i tyre. Përgjegjësinë penale për regjistrimin dhe shpërndarjen e pamjeve duhet ta përcaktojë drejtësia. Por as Hila, as njerëzit e përfshirë në këto video nuk janë zgjedhur nga shqiptarët për t’i qeverisur, nuk administrojnë taksat e tyre dhe nuk vendosin për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, privatësia e tyre është kthyer në një spektakël, ndërsa problemet që prekin miliona qytetarë duhet të luftojnë për pak minuta vëmendje.

Nuk ka nevojë të fshehësh skandalet e pushtetit kur mund ta mbushësh hapësirën publike me skandalet e dhomave të gjumit. Madje, në rastin e dytë, publiku është shumë më i zellshëm. Heton, gjykon, dënon dhe kërkon prova të tjera.

Ndërkohë, për ata që i vjedhin përditë, shqiptarët duket se e kanë humbur prej kohësh të njëjtën etje për të vërtetën.

Pushteti nuk ka pse t’ua fshehë më qytetarëve varfërinë, korrupsionin apo vjedhjen e parave publike. Mjafton t’u japë diçka tjetër për të parë. Një video intime, një skandal privat, një histori tradhtie. Dhe ndërsa një vend i tërë merret me atë që ndodh pas dyerve të dhomave të gjumit, ata që vendosin për jetën e tij vazhdojnë të qeverisin pa u shqetësuar.

Sepse mënyra më e lehtë për t’i mbajtur njerëzit larg së vërtetës nuk është gjithmonë t’ua fshehësh atë, por t’ua zësh sytë me diçka tjetër.

Video

Një sulm me raketa pranë një dyqani në periferi të Kharkivit, në Ukrainë, ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e nëntë të tjerëve. Mes të plagosurve raportohet se është edhe një fëmijë. Sulmi është kryer nga Rusia, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e goditjes dhe identitetin e viktimave.

Pra, në Ministrinë e Arsimit tashmë nuk mjafton të bësh mirë vetëm punën. Duhet të mendohesh dy herë edhe para garderobës dhe pasqyrës🤔

Nëna humb foshnjën në javën e 38-të të shtatzënisë, hetimi zbuloi si shkak mosfunksionimin e monitorit të matjes së rrahjeve të zemrës

Një fluturim i kompanisë ajrore indiane IndiGo u devijua drejt Hyderabadit pasi një pajisje elektronike personale, dyshohet një bateri portativ, filloi të nxirrte tym dhe mori flakë në bord. Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut. Ngjarja shkaktoi panik mes pasagjerëve, ndërsa pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë disa prej tyre duke u përpjekur të izolojnë baterinë me çanta për të frenuar përhapjen e zjarrit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme