
Nga Desada Metaj
Po mirë, Edi Rama, fitove. Ta besuam historinë e dorës së zezë. Ta besuam se shërbimet e huaja, armiqtë e brendshëm, Sali Berisha dhe kushdo tjetër që nuk të do ty, janë bashkuar për të shkatërruar Shqipërinë. Madje, ta besuam që para katër muajsh, kur na e tregove për herë të parë këtë histori. Dhe nuk është se nuk kishim arsye për të protestuar kundër qeverisë sate. Por menduam se, nëse vërtet Shqipëria kërcënohej nga një komplot i tillë, nuk duhej t’ua lehtësonim punën armiqve që ti na kishe zbuluar. Sepse ne, ndryshe nga ata që ti na përshkruan si shkatërrues të vendit, kemi diçka për të humbur.
Jemi ne, Edi Rama, njerëzit që nuk duam as kaos, as anarki, as një Tiranë që digjet çdo mbrëmje. Kemi familje, fëmijë, punë, disa kanë biznese modeste dhe një jetë që nuk duam ta shohim të shkatërrohet. Besojmë se rendi dhe qetësia janë të domosdoshme për një vend që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Dhe e dimë shumë mirë çfarë i ka kushtuar Shqipërisë destabiliteti në të shkuarën.
Prandaj, kur na paralajmërove para disa muajsh se forca të errëta po përpiqeshin të destabilizonin vendin, nuk dolëm në rrugë për t’ua lehtësuar punën. Nuk hodhëm gurë, nuk dogjëm institucione dhe nuk shkatërruam biznese. Pritëm që shteti, të cilin ti e drejton prej trembëdhjetë vjetësh, të bënte detyrën e tij.
Po ti çfarë bëre gjatë këtyre katër muajve?
Na sigurove nga shërbimet e huaja me Vlora Hysenin në krye të SHISH-it, e cila, siç ti e dije shumë mirë, ishte e përfshirë në raporte me grupe kriminale dhe ruante nga drejtësia Ergys Agasin. Dhe ti, që sot na flet për armiqtë e Shqipërisë, duhet të na shpjegosh çfarë dije dhe kur e more vesh dhe çfarë lidhjesh të dukshme dhe të padukshme lidhin shërbimin informativ me botën e krimit.
Pastaj riformatove qeverinë. Na solle Belinda Ballukun bis, me ish-vartësit e saj në poste ministrore, ndërkohë që vetë Balluku është nën hetim nga SPAK dhe ti e mbrojte nga kërkesa për imunitetin. Bashkinë e Tiranës vazhdove ta drejtosh politikisht me vëllain e Diellës, Erion Veliajn, që nga burgu na jep mesazhe me avatar. Dhe me këtë ekip na kërkon të besojmë se shteti është në duar të sigurta dhe se po na mbron nga komplotet ndërkombëtare.
Ndërkohë, për të na bindur se gjithçka po shkon mirë, na nxore Sara Milen dhe Zegjine Çaushin të na shpjegojnë se sa shumë e do Partia Socialiste Shqipërinë dhe sa faj ka Sali Berisha për gjithçka që ndodh sot. A thua se në këtë vend jetojnë vetëm patronazhistët e tu që besojnë çdo budallallëk që thonë trushkulurat e partisë tënde.
Dhe tani, pas katër muajsh proteste paqësore që ti s’ia vure veshin dhe Tirana është kthyer në skenë përplasjesh, zjarresh dhe shkatërrimesh, na kërkon sërish të besojmë se fajin e kanë të huajt, Berisha dhe forcat e errëta. Madje, na kërkon edhe të rrimë urtë, sepse destabiliteti po troket në derë.
Seriozisht?
Po çfarë bëre ti për ta ndaluar këtë destabilitet që e kishe paralajmëruar vetë? Sa prej këtyre armiqve identifikove? Sa prej tyre arrestove? Çfarë masash more që Tirana të mos përfundonte në gjendjen ku është sot? Dhe nëse kërcënimi ishte kaq serioz, përse pas katër muajsh na gjeti përsëri të papërgatitur?
Sepse nuk mund të na kërkosh pafundësisht të kemi frikë nga armiqtë e Shqipërisë, ndërkohë që shtetin vazhdon ta drejtosh me njerëzit që janë bërë vetë simbol i problemeve të tij. Nuk mund të na kërkosh besim te institucionet, ndërsa bashkëpunëtorët e tu më të afërt përfundojnë njëri pas tjetrit, madje dhe familjarisht, në SPAK. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të na kërkosh të zgjedhim mes qeverisë tënde dhe kaosit, sikur Shqipëria të mos kishte të drejtë të kërkonte një alternativë tjetër.
Ne nuk duam që Tirana të digjet. Nuk duam që policët të plagosen, që bizneset të plaçkiten dhe që të rinjtë të përfundojnë në spitale. Por nuk pranojmë as që frika nga kaosi të përdoret për të na mbyllur gojën. Sepse mes atyre që protestojnë ka edhe studentë dhe qytetarë që nuk kanë lidhje as me Berishën, as me shërbimet e huaja, por që thjesht nuk duan të largohen nga Shqipëria. Dhe është detyra jote t’u garantosh të drejtën për të protestuar, jo t’i zhdukësh pas historive me armiq.
Ke trembëdhjetë vjet në pushtet dhe 85 vota në Parlament. Gjej, pra, 85 njerëz që dinë të drejtojnë shtetin dhe që nuk janë hajdutë me çizme, në vend që të na nxjerrësh çdo mëngjes një video të re me gogolin e Sali Berishës dhe armiqtë e Shqipërisë.
Dhe nëse nuk je në gjendje të qeverisësh pa na trembur çdo ditë me kaosin që po vjen, atëherë ndoshta ka ardhur koha t’ia lësh vendin dikujt tjetër. Para se të jetë shumë vonë dhe të përfundosh duke mbrojtur karrigen tënde, si Berisha në vitin 1997.
Sepse, Edi Rama, armiqtë mund të jenë të huaj, por shtetin që duhej të na mbronte prej tyre e ke drejtuar ti. Për trembëdhjetë vjet.
Edhe Enver Hoxha luftonte gjithë jetën me armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Por ai, të paktën, ndërtoi bunkerë për t’u mbrojtur prej tyre. Ti çfarë ke ndërtuar për të na mbrojtur nga armiqtë që na zbulon çdo ditë? Kulla?






















