
Nga Desada Metaj
Askush prej nesh nuk e do kaosin. As anarkinë, as qytetet që digjen, as xhamat e thyer dhe bizneset e shkatërruara. Kush më pak e kush më shumë, të gjithë kemi diçka për të humbur. Një shtëpi, një punë, një biznes, një jetë të ndërtuar me mund, njëfarë sigurie që përpiqemi ta ruajmë edhe kur gjithçka rreth nesh shkon keq. Prandaj dhuna na tremb. Prandaj instinktivisht kërkojmë rend, qetësi dhe kthim në normalitet.
Por ndoshta nuk i kemi bërë mirë llogaritë me këta të rinj që kanë dalë në rrugët e Tiranës. Sepse ne e shohim kaosin me sytë e njerëzve që kanë diçka për të mbrojtur, ndërsa ata mund ta shohin me sytë e një brezi që nuk ka çfarë të mbrojë. Nuk kanë prona, nuk kanë karriera, nuk kanë siguri ekonomike dhe, mbi të gjitha, nuk kanë besim se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në këtë vend.
Për vite me radhë u kemi thënë të mësojnë, të durojnë, të presin, të mos humbasin shpresën. Ndërkohë u kemi ofruar një Shqipëri ku diploma nuk garanton punë, merita shpesh humbet përballë lidhjeve politike dhe suksesi matet me afërsinë ndaj pushtetit. U kemi mësuar se rruga më e sigurt drejt një jete dinjitoze kalon nga aeroporti i Rinasit. Dhe tani habitemi që një pjesë e tyre nuk pranon më të presë avionin e radhës.
Këta të rinj kanë vënë bast pikërisht atë që ne mendojmë se duhet ta ruajnë: të ardhmen e tyre. Dhe ndryshe nga brezat që u mësuan të përshtaten, të heshtin apo të largohen, një pjesë e tyre ka vendosur të qëndrojë dhe të përplaset me realitetin që i ka dënuar të ikin.
Sigurisht, kjo nuk justifikon djegien e një qyteti. As dhunën ndaj policëve, as shkatërrimin e pronës së dikujt që ndoshta ka punuar gjithë jetën për ta ngritur. Por nëse gjithë debati ynë përfundon te xhamat e thyer, pa pyetur pse kaq shumë të rinj janë gati të rrezikojnë lirinë dhe jetën e tyre, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë nga ajo që po ndodh.
Ne duam që Tirana t’i kthehet normalitetit, që protestat të mos shoqërohen me dhunë dhe që askush të mos rrezikojë atë që ka ndërtuar. Por ndoshta nuk e kemi kuptuar se këta të rinj nuk kanë të njëjtat llogari me ne. Ne kemi çfarë të humbasim, ndërsa shumë prej tyre ende nuk kanë pasur mundësi të fitojnë asgjë.
Dhe ndoshta për herë të parë po shohim një brez që, në vend se të largohet në heshtje nga Shqipëria, ka vendosur të përballet me të. Nuk e dimë sa do të zgjasë kjo revoltë dhe as ku do të përfundojë. Por do të ishte gabim të besonim se, sapo të pastrohen rrugët e Tiranës, do të zhduket edhe zemërimi i tyre.






















