Editorial 16 October 2026, 06:01 Nga D.M

I ke 85 votat, Edi Rama. Po a ke 85 njerëz që dinë të drejtojnë shtetin?

Ndaje në Whatsapp
I ke 85 votat, Edi Rama. Po a ke 85 njerëz që dinë të

Nga Desada Metaj 

Po mirë pra, po e marrim të mirëqenë gjithçka që na thonë Edi Rama, ministrat e tij dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit. Këta që po protestojnë janë të dhunshëm, janë të manipuluar, janë të shërbimeve të huaja që nuk na duan të mirën, janë të Sali Berishës dhe të kujtdo tjetër që qeveria ka vendosur të shpallë armik. Po ua pranojmë të gjitha. Por a ka mes tyre studentë që duan të protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës? A ka të rinj që nuk duan as Saliun, as shërbimet e huaja, por thjesht nuk e durojnë më këtë qeveri? Dhe kush tjetër, përveç shtetit, ka detyrimin t’u garantojë atyre të drejtën për të protestuar?

Çfarë duhet të bëjmë ne qytetarët? Të heqim dorë nga protesta sepse mund të na e shfrytëzojnë shërbimet e huaja? Të mos dalim në rrugë sepse mes nesh mund të ketë provokatorë, vandalë apo njerëz të paguar? Po për çfarë e kemi shtetin atëherë? Je kryeministër, zotëri. Nëse ke informacion se kush po organizon dhunën, kush po financon destabilizimin dhe cilat shërbime të huaja po ndërhyjnë në Shqipëri, gjeji përgjegjësit, hetoji dhe çoji para drejtësisë. Nuk mund të përdorësh për ditë me radhë të njëjtën histori me armiq të brendshëm e të jashtëm, ndërsa Tirana digjet, bizneset shkatërrohen, policët plagosen dhe të rinjtë përfundojnë të prangosur përtokë.

Jo më larg se një javë më parë na nxore videon me luanin për të na kujtuar se ke 85 vota në Parlament. Dhe të lumtë që i ke! Por nëse ke 85 vota për të mbajtur pushtetin, gjej edhe 85 njerëz që dinë të drejtojnë shtetin. Njerëz që parandalojnë dhunën, që mbrojnë qytetarët dhe që nuk presin të shohin në televizor se cili institucion po sulmohet për të kuptuar ku duhet të shkojë policia. Sepse nuk është normale që prej disa ditësh kryeqyteti të përjetojë skena shkatërrimi, ndërsa qeveria të merret kryesisht me identifikimin politik të armiqve të saj.

Shqipëria e ka provuar një herë se deri ku mund të shkojë një pushtet që nuk di të menaxhojë krizën dhe që e vendos karrigen mbi gjithçka tjetër. Në vitin 1997, Sali Berisha nuk e lëshoi pushtetin derisa vendi u zhyt në katastrofë. Nuk kemi pse ta provojmë edhe një herë atë histori, këtë radhë me Edi Ramën.

Dhe nëse nuk arrin ta drejtosh më këtë shtet, nëse nuk arrin të garantosh as rendin dhe as të drejtën për të protestuar, atëherë largohu. Që sot, jo kur të jetë tepër vonë. Ndoshta në këtë politikë të fëlliqur ka mbetur ende dikush që mund ta drejtojë vendin deri në zgjedhje të parakohshme. Sepse Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga frika e kaosit, por as të përfundojë në kaos për të mbajtur dikë në pushtet.

Video

Vetëm 5 ditë në detyrë, shkarkohet zëdhënësja e Trump

Bashkë me fëmijën përballë të gjithëve

Protestuesit largojnë me forcë deputetin Klevis Balliu nga protesta

Pas disa orësh përplasje, studentët protestues përqafohen me efektivët e policisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme