
Ergys Agasi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për kthimin e sendeve të sekuestruara. Kërkesa është depozituar më datë 14 tetor dhe ende nuk ka një datë se kur gjyqtarja Flojera Davidhi do ta shqyrtojë atë. Burime pranë GJKKO-së bënë me dije se Agasi kërkon kthimin e kamerës së sekuestruar në zyrën e tij, kamerë përmes së cilës ka regjistruar takimet me persona të ndryshëm, përfshirë dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme.
Në këtë mënyrë, ai po përpiqet të godasë dhe të shpallë të pavlefshme provat e siguruara nga SPAK, për shkak se pamjet filmike, që janë jo vetëm video, por edhe audio, konsiderohen si provë kyçe kundër tij.
Agasi akuzohet nga SPAK si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sipas prokurorisë, bashkë me Ermal Beqirin, i arrestuar aktualisht në Francë, urdhëronin rrëmbimin e rivalëve në biznes, duke i detyruar të tërhiqeshin nga tenderat e AKSHI-t.
Si pjesë e grupit të Agasit, po hetohet dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ndërsa për përkrahje të autorit të krimit, si dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, ndodhet në arrest shtëpie ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.






















