Bojkoti i mësimit po shtrihet edhe në universitetet jashtë Tiranës. Studentët në Korçë dhe Elbasan kanë ndërprerë mësimin, duke iu bashkuar protestës dhe kërkesave të të rinjve në kryeqytet.
Në Korçë, Këshilli Studentor ka njoftuar grumbullimin përpara Pallatit të Sportit. Organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë paqësore, duke kërkuar shmangien e përplasjeve dhe të dëmtimit të pronës.
Edhe në Universitetin e Elbasanit është bojkotuar procesi mësimor. Ndonëse një pjesë e studentëve janë paraqitur në auditorë, mësimi nuk është zhvilluar. Deri në momentin e raportimit, nuk ishte njoftuar një marshim i organizuar në qytet.
Bojkoti në këto dy universitete e zgjeron protestën përtej kryeqytetit. Studentëve u janë bashkuar edhe pedagogët, ndërsa Sindikata e Universiteteve ka shpallur bojkot të mësimdhënies në universitetet publike.






















