
Ndërsa studentët kanë marshuar para Kryeministrisë, Edi Rama ka dërguar drejtoreshën e komunikimit, Manjola Hasa, për t’u përcjellë protestuesve ftesën e tij për dialog.
Gjatë përballjes me studentët, Hasa deklaroi se kryeministri është i gatshëm t’i presë ata që dëshirojnë të diskutojnë kërkesat e tyre.
“Unë nuk jam këtu për deklarata politike, jam këtu që nëse ka studentë që duan të flasin me kryeministrin, të përcjell kërkesën e tyre. Kryeministri ka mbajtur qëndrimin e tij. Kush dëshiron dialog, janë të mirëseardhur, kryeministri është i hapur për dialog”, tha Hasa.
Ndërkohë, gjatë marshimit para godinës së qeverisë, studentët kanë grisur letrat e vendosura më herët, duke vijuar protestën e tyre.






















