Sociale 19 October 2026, 11:44 Nga VNA

Lea Ypi nga Londra: Rama duhet të ikë, por vetëm kur ta them unë

Ndaje në Whatsapp
Lea Ypi nga Londra: Rama duhet të ikë, por vetëm kur ta them

Lea Ypi na shpjegon nga Londra se Edi Rama duhej të kishte dhënë dorëheqjen prej kohësh. “Me siguri në qershor. Po mbase edhe pas arrestimit të deputetit apo ministrit të parë”, shkruan ajo.

Vërtet, Lea? Pra, Rama duhej të kishte ikur prej muajsh, por studentët që kërkojnë largimin e tij sot duhet të kenë më parë një projekt të besueshëm për ndryshimin e shoqërisë?

Po ku ta ndërtojnë këtë projekt? Në auditorët e mjeruar të Universitetit të Tiranës, brenda një sistemi të kontrolluar prej vitesh nga njerëz të lidhur me pushtetin? Në lokalet e Bllokut, ku shumë prej tyre nuk kanë para as për një kafe? Apo në shtëpitë e periferisë, ku prindërit mezi mbyllin muajin?

Jo të gjithë kanë mundësinë të studiojnë filozofi politike apo të ndërtojnë karrierë akademike në Londër. Ka të rinj që udhëtojnë me autobusë të mbushur, që nuk kanë mundësi të blejnë librat dhe që, përpara se të mendojnë për rrëzimin e kapitalizmit, duhet të mendojnë si do të paguajnë muajin tjetër.

Lea shkruan se “zëvendësimi i një individi në pushtet apo në opozitë me një individ tjetër nuk është projekt kombëtar, është projekt partiak”. Dhe ka të drejtë. Por kjo nuk do të thotë se qytetarët duhet të presin ndërtimin e demokracisë sociale për t’i kërkuar llogari një kryeministri.

Ajo dënon dhunën policore, mbështet studentët, por u kërkon të protestojnë paqësisht, të mos bashkëudhëtojnë me ata që nuk ndajnë projektin e saj politik dhe, mbi të gjitha, të kenë durim.

Durim për çfarë, Lea? Derisa të ndërtohet e majta e vërtetë? Derisa të zgjidhen kontradiktat e kapitalizmit? Apo derisa zemërimi i tyre të marrë formën ideologjike të pranueshme për ty?

Dhuna nuk është projekt politik. Por as protesta nuk është seminar filozofie.

Këta të rinj mund të mos dinë të shpjegojnë çfarë sistemi duan të ndërtojnë. Por e dinë shumë mirë në çfarë sistemi nuk duan të jetojnë.

Dhe nëse Rama duhej të kishte ikur që në qershor, siç thua ti, përse duhet të presin ata që ia kërkojnë sot?

Sepse, Lea, është më e lehtë të predikosh durim nga Londra sesa ta jetosh dëshpërimin në periferi të Tiranës.

Lexo gjithashtu

Video

Djali i 46-vjecarit Ismet Habili që bërtet e qan pasi mëson se babai i tij ka humbur jetën brenda automjetit të tij me një plumb në kokë.

Policia arreston të riun te Tajvani: “Po më marrin kot! Kisha vetëm një kokore dhe një antidjersë”.

🔴PAMJE TË RËNDA/ MOTRA PËRPIQET TË SHPËTOJË VËLLAIN NGA DUART E POLICËVE

Negociatorët për dialog

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme