Tre persona kanë mbërritur deri në orën 16:00 në Spitalin Universitar të Traumës, si pasojë e incidenteve të regjistruara gjatë ditës së gjashtë të protestave në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes personave që po marrin ndihmë mjekësore janë një efektiv policie, një i mitur 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias.
Ministria bën të ditur se gjendja shëndetësore e të treve paraqitet e qëndrueshme. Ata po u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme dhe po marrin trajtim nga personeli mjekësor dhe infermieror i spitalit.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka përgënjeshtruar informacionet që kanë qarkulluar për humbjen e jetës së një të mituri gjatë protestës, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta.
Bilanci i bërë publik i referohet situatës deri në orën 16:00 të së dielës, 18 tetor.






















