Protestat në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare në ditën e pestë të tyre, pas përshkallëzimit të tensioneve mes demonstruesve dhe forcave të policisë në Tiranë. Agjencia Reuters dhe media gjermane Deutsche Welle (DW) u kanë kushtuar artikuj të veçantë ngjarjeve të së shtunës, 17 tetor, duke raportuar për përdorimin e plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe për dhjetëra persona të lënduar.
Sipas raportimit të Reuters, policia shqiptare ka qëlluar me ato që dukeshin si plumba gome drejt protestuesve të mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit. Agjencia ndërkombëtare shkruan se gazetarët e saj kanë gjetur fishekë gome në vendngjarje, ndërsa dy prej tyre dhe disa protestues janë goditur gjatë përplasjeve.
Reuters i cilëson demonstratat si sfidën më të madhe deri tani për kryeministrin Edi Rama, i cili fitoi mandatin e katërt qeverisës në vitin 2025. Sipas agjencisë, protestat janë nxitur nga pakënaqësitë lidhur me korrupsionin, mungesën e vendeve të punës dhe problemet në sistemin arsimor.
Në artikull përmendet edhe reagimi i drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili nuk e mohoi përdorimin e plumbave të gomës dhe deklaroi se mjetet policore ishin përdorur në mënyrë të kufizuar. Ai njoftoi gjithashtu pezullimin e shtatë efektivëve për shkelje të dyshuara gjatë ndërhyrjeve ndaj protestuesve.
Ndërkohë, Deutsche Welle i ka kushtuar një artikull përplasjeve të ditës së pestë, duke i përshkruar ato si ndër më të ashprat që nga nisja e demonstratave.
Sipas DW, protesta nisi në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit, por më pas situata u tensionua. Demonstruesit hodhën gurë dhe kokteje molotov drejt policisë, ndërsa forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Përplasjet u përhapën në disa zona të kryeqytetit, ku u raportuan automjete dhe ambiente të institucioneve të përfshira nga flakët. Sipas të dhënave të cituara nga DW, të paktën 21 efektivë policie dhe 13 protestues mbetën të lënduar.
Media gjermane pasqyron gjithashtu thirrjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për mosbindje civile, si dhe reagimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila kërkoi uljen e tensioneve dhe dialog mes palëve.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria respekton të drejtën e studentëve për të protestuar, por ka theksuar përgjegjësinë për garantimin e sigurisë dhe rendit publik. Ai ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.
Protestat, që vijojnë prej pesë ditësh, kanë marrë kështu jehonë përtej kufijve të Shqipërisë, ndërsa zhvillimet në Tiranë po ndiqen nga mediat ndërkombëtare në një kohë tensionesh të larta mes demonstruesve dhe autoriteteve.






















