Pjesëmarrja e gjimnazistëve dhe të rinjve në protestat e fundit vjen si një thirrje për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri dhe për të ndalur valën e emigrimit. Një maturant nga Kamza, i cili iu bashkua tubimit i mbuluar me kapuç e me maskë për të mbetur i paidentifikuar, tregoi arsyet e pranisë së tij në shesh.
I pyetur nga gazetarja Fjorela Beleshi mbi shkaqet e daljes në protestë, i riu nënvizoi se dëshiron të ndërtojë jetën në vendin e tij:
"Për të pasur diçka më të mirë e të mos largohemi si të gjithë njerëzit tanë, kushërinjtë e mi," u shpreh ai, duke shpresuar se reagimi qytetar do të sjellë ndryshim.
"Ai nuk dëgjon me paqe, ndryshe nuk bëhet"
Lidhur me përshkallëzimin e protestës dhe pyetjes nëse kjo është rruga e drejtë, gjimnazisti argumentoi se tubimet paqësore janë injoruar për një kohë të gjatë:
"Atëherë, ndryshe nuk bëhet. Ai nuk e vlerëson qetësinë; 130 ditë, mos më shumë, jemi këtu me paqe dhe ai nuk dëgjon. Ndryshe nuk bëhet."
Maturanti hodhi poshtë edhe deklaratat e ministrit, sipas të cilit personat e përfshirë në dëmtimin e objekteve nuk janë studentë. Ai konfirmoi se në shesh janë vetë studentët e revoltuar që e kanë kthyer protestën në këtë formë.
I pyetur nëse pas kësaj lëvizjeje qëndron opozita, i riu e mohoi kategorikisht çdo ndikim politik, duke sqaruar se bashkimi i të rinjve është bërë në mënyrë spontane:
"Opozitë? Vetëm rrjetet sociale... për një jetë më të mirë."
Gazetarja në raportimin e saj nga terreni konfirmoi se shumë prej pjesëmarrësve, ashtu si edhe maturanti, kanë zgjedhur të mbulojnë fytyrën për shkaqe sigurie dhe identifikimi.






















