Pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, të rinjtë para Ministrisë së Arsimit kanë vijuar tubimin duke u ulur në tokë përballë autobotit të ujit dhe kordonit të efektivëve.
Një pjesë e protestuesve kanë qëndruar në këmbë përreth tyre, duke bllokuar rrugën dhe duke brohoritur njëzëri: “Polici, këtu na ke, shiko krimin e jo ne!”.
Ky moment qëndrese paqësore ka pasuar tensionet gjatë protestës së studentëve dhe gjimnazistëve. Protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta drejt policisë, ndërsa efektivët kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Si pasojë, protestuesit janë tërhequr përkohësisht në rrugët dytësore pranë Rrugës së Durrësit, por pas pak minutash janë rigrupuar përpara ministrisë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë janë shoqëruar disa protestues, ndërsa janë raportuar edhe raste të përdorimit të forcës gjatë shoqërimeve. Situata përpara Ministrisë së Arsimit mbetet e tensionuar.






















