Në një kohë kur Tirana po përjeton ditë të tensionuara, me protesta, përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë dhe një situatë që ka ngritur shqetësime për zhvillimet në vend, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joan, ka përcjellë sot një mesazh që shkon përtej mureve të kishës.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore të kësaj të diele, më 18 tetor, Kryepiskopi iu drejtua veçanërisht atyre që mbajnë përgjegjësinë e vendimmarrjes, duke u lutur që të tregojnë urtësi dhe pjekuri në shërbim të vendit. Në qendër të mesazhit të tij ishte një fjali e thjeshtë, por me peshë të veçantë në rrethanat e sotme: “Shqipëria është e të gjithëve.”
“Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu, janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë”, u shpreh Kryepiskopi Joan.
Mesazhi vjen pas disa ditësh protestash në kryeqytet, ku përplasjet mes demonstruesve dhe forcave të rendit janë shoqëruar me të plagosur, arrestime dhe dëmtime të pronës publike e private. Pa përmendur emra politikanësh apo institucione të veçanta, Kryepiskopi vuri theksin te përgjegjësia e atyre që marrin vendime dhe te e drejta e çdo qytetari për të qenë pjesë e ndërtimit të vendit.
Në një klimë të rënduar nga tensionet politike dhe shoqërore, thirrja e Kryepiskopit Joan për vendime të urta dhe të pjekura merr një domethënie të veçantë. Shqipëria, siç ai kujtoi, nuk është pronë e askujt, por vendi i të gjithë atyre që jetojnë në të.






















