Sociale 18 October 2026, 16:51 Nga VNA

Tirana në ditën e gjashtë të protestave: Sulmohet selia e PS-së, persona të maskuar dalin me hunj druri, përplasje me policinë. Protestuesit zhvendosen drejt Stacionit të Trenit

Ndaje në Whatsapp
Tirana në ditën e gjashtë të protestave: Sulmohet selia e

Dita e gjashtë e protestave antiqeveritare në Tiranë po shoqërohet me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, dëmtime në selinë e Partisë Socialiste dhe një incident që ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e policisë dhe sigurinë e institucioneve politike. Pas disa orësh tensione në qendër të kryeqytetit, protestuesit janë zhvendosur tashmë drejt Rrugës së Stacionit të Trenit.

Protesta nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku studentë dhe të rinj u përballën me forcat e policisë. Situata u tensionua pas hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Gjatë përplasjeve u raportuan edhe shoqërimet e para të protestuesve.

Më pas, turma u zhvendos drejt qendrës së Tiranës, ku përplasjet vijuan në disa zona. Protestuesit u përballën sërish me kordonët e policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe autobotët e ujit për të shpërndarë turmën.

Një nga episodet më të tensionuara u regjistrua përpara selisë së Partisë Socialiste. Protestuesit sulmuan hyrjen e godinës, duke thyer xhamat me gurë dhe sende të forta. Por ajo që ndodhi më pas ka ngritur pyetje edhe më serioze.

Disa persona me fytyra të mbuluara dolën nga ambientet e selisë së PS-së me shkopinj druri në duar dhe u përplasën me protestuesit. Sipas raportimeve, disa prej tyre janë prezantuar si anëtarë të Partisë Socialiste, por identiteti dhe statusi i tyre mbeten ende të pakonfirmuar.

Çfarë kërkonin persona të maskuar dhe me hunj druri brenda selisë së partisë që qeveris vendin? Kush i lejoi të qëndronin aty? Kush i autorizoi të dilnin me shkopinj për t’u përballur me protestuesit dhe përse policia nuk e parandaloi incidentin?

Janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga Partia Socialiste dhe Policia e Shtetit, sidomos në një kohë kur ndërhyrjet ndaj protestuesve kanë qenë të vazhdueshme.

Ndërkohë, gjatë protestës është raportuar edhe angazhimi i forcave speciale RENEA. Policia e ka argumentuar ndërhyrjen me marrjen e një telefonate për të shtëna me armë dhe rrezik ndaj efektivëve, pretendim për të cilin nuk ka ende konfirmim të pavarur.

Bilanci i pesë ditëve të para të protestave, sipas shifrave të raportuara, arrin në 272 persona të lënduar, mes tyre 169 punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë. Për ditën e gjashtë nuk ka ende një bilanc përfundimtar.

Ndërsa protesta ka hyrë në një tjetër fazë, me zhvendosjen e turmës drejt Rrugës së Stacionit të Trenit, mbetet e paqartë se ku do të përqendrohen më tej protestuesit dhe nëse do të ketë përplasje të tjera.

Ajo që deri tani është e qartë është se dita e gjashtë nuk ka sjellë qetësimin e situatës. Përkundrazi, përplasjet janë zhvendosur nga një zonë e kryeqytetit në tjetrën, ndërsa incidenti me personat e maskuar që dolën nga selia e PS-së mbetet një nga episodet që kërkon sqarim të menjëhershëm.

Lajmi në përditësim…

Lexo gjithashtu

Video

Policia ka nisur ndalimet e të rinjve protestues. Video e realizuar prane Piramidës.

Protestuesit godasin me molotov Bashkinë e Tiranës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme