Dhjetë aktivistë të shoqërisë civile kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, duke i akuzuar për gjashtë vepra penale në lidhje me trajtimin e protestuesve.
Në kallëzimin e tyre, aktivistët pretendojnë se kryeministri dhe kreu i Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë ose lejuar veprime që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, në një kohë kur vendi është përfshirë nga protesta kundër qeverisë.
Një nga akuzat më të rënda të ngritura nga kallëzuesit është ajo e gjenocidit ndaj një pjese të shoqërisë. Sipas pretendimeve të tyre, qytetarët janë diferencuar përmes etiketimit, diskriminimit, linçimit dhe zhvlerësimit, duke u përballur me dhunë, përndjekje dhe dëme të rënda fizike e psikologjike.
Gjashtë akuzat e renditura në kallëzimin penal janë:
Gjenocid ndaj një pjese të shoqërisë, duke e diferencuar nga pjesa tjetër përmes etiketimit, diskriminimit, linçimit dhe zhvlerësimit. Sipas kallëzuesve, ky veçim shoqërohet me dhunë, përndjekje dhe shkaktim të dëmeve të rënda fizike dhe psikologjike.
Ushtrim ndikimi për veprime të paligjshme, duke u premtuar para punonjësve të rendit.
Shpërdorim detyre, përmes veprimeve që sjellin pasoja në interesat e shtetasve.
Dhënie e urdhrave të paligjshëm, që cenojnë lirinë dhe integritetin e individit.
Mosmarrje e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë.
Kryerje e veprimeve aktive për pengimin e lirisë së shprehjes dhe organizimit.
Kallëzimi vjen në një moment tensionesh të forta mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, pas përplasjeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe qytete të tjera.
Aktivistët kërkojnë që veprimet e drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe policisë të shqyrtohen nga organet e drejtësisë, në lidhje me mënyrën se si janë trajtuar protestat dhe qytetarët pjesëmarrës në to.






















