Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit të japë shpjegime për trajtimin e protestuesve të arrestuar, përfshirë një person të shtruar në Spitalin e Traumës, i cili mbahej i prangosur në krevat me një dëmtim të rëndë në sy. Institucioni kërkon gjithashtu identifikimin e efektivëve të përfshirë në ndërhyrjet policore dhe ruajtjen e të gjitha pamjeve filmike, ndërsa paralajmëron referimin në prokurori të rasteve ku verifikohen përgjegjësi penale.
Në deklaratën e sotme, 21 tetor, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës njoftoi se gjatë monitorimit të një dite më parë kishte konstatuar një situatë të rënduar në ambientet ku mbahen personat e arrestuar pas protestave.
Mbytet Blloku i Sigurisë, të arrestuarit flenë në dysheme. Avokati i Popullit kërkon masa: Gjetëm 118 persona në ambiente për 67!
Në momentin e inspektimit, në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 118 persona, megjithëse kapaciteti zyrtar është vetëm 67. Nga këta, 36 ishin arrestuar gjatë orëve të fundit. Në dhoma të destinuara për një person mbaheshin tre deri në katër të arrestuar, ndërsa të paktën dy prej tyre flinin në dysheme.
Për këtë situatë, Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Brendshme marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kapacitetit normal dhe sistemimin e personave të tjerë në ambiente që plotësojnë standardet ligjore.
Mes personave të mbajtur në Bllokun e Sigurisë ishin edhe gjashtë të mitur, për të cilët monitoruesit nuk arritën të identifikonin një dhomë të veçantë. Ankesat e administruara lidheshin me kufizimin e kontakteve me familjarët dhe avokatët, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.
Gjatë inspektimit u administruan gjashtë ankesa për pretendime dhune gjatë ndalimit ose shoqërimit. Në një rast u raportua dëmtim në kokë dhe në një tjetër dëmtim në sy.
Avokati i Popullit konfirmon gjithashtu se ka marrë nga qytetarët pamje filmike që dyshohet se dokumentojnë përdorimin e dhunës nga policia, përfshirë tërheqjen zvarrë të protestuesve dhe goditjet me shkopinj gome. Këto materiale po analizohen për të identifikuar përgjegjësit.
Një nga rastet më shqetësuese është ai i një protestuesi të arrestuar, i cili ndodhej ende i shtruar në Spitalin e Traumës, me një dëmtim të rëndë në sy, por mbahej i prangosur në krevat, ndërsa një punonjës policie qëndronte në dhomë.
Personi ka pretenduar se ishte dhunuar gjatë arrestimit. Avokati i Popullit kërkon të sqarohet kush e urdhëroi prangosjen, për çfarë arsye dhe sa kohë ka zgjatur ajo.
Në Spitalin e Traumës u evidentuan gjashtë protestues që kishin marrë trajtim mjekësor, mes tyre një i mitur, ndërsa një ditë më parë ishin trajtuar 34 persona.
Institucioni kërkon nga Policia e Shtetit ruajtjen e menjëhershme të pamjeve filmike nga protestat, komisariatet dhe Blloku i Sigurisë, dokumentimin e bazës ligjore të çdo shoqërimi, identifikimin e efektivëve dhe garantimin e të drejtave të të miturve.
Ministrisë së Shëndetësisë i kërkohet të garantojë praninë e mjekëve në ambientet e shoqërimit dhe dokumentimin e çdo dëmtimi trupor, në mënyrë që të mundësohet hetimi i rasteve të dyshuara të keqtrajtimit.
Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, ndërsa hetimi për pretendimet e dhunës vijon.
Në rastet kur konstatohen shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale, institucioni paralajmëron se do të kërkojë masa ndaj punonjësve të policisë dhe do t’i referojë rastet në prokurori.






















