
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka mbërritur paraditen e kësaj të enjteje në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku pritet t’i komunikohet dhe të shqyrtohet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në hyrje të GJKKO-së, Hyseni është përballur me pyetjet e gazetarëve lidhur me hetimet dhe dyshimet se ka shpërndarë materiale të klasifikuara.
E pyetur konkretisht nëse kishte nxjerrë informacione të klasifikuara, ish-drejtuesja e SHISH nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por iu drejtua gazetarëve duke i i shantazhuar me fjalët: "si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner".
Ndaj Vlora Hysenit u caktua dy ditë më parë masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t.
Sipas akuzës, hetuesit kanë administruar komunikime mes Hysenit dhe biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me dyshimet për nxjerrjen dhe shpërndarjen e informacioneve të klasifikuara.
Prokurorët dyshojnë se materiale të tilla mund t’i jenë përcjellë Agasit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar natyrën e informacioneve të dyshuara si të shpërndara dhe rrethanat në të cilat mund të ketë ndodhur një gjë e tillë.






















